Ish-i burgosuri Besim Zymberi kërkon që burgu i Dubravës të shpallet kamp i instaluar përqendrimi

27 janar 2022 | 23:27

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e shpallur me Rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, në nderim të viktimave (shumica hebrenj,) të shkaktuara nga nazizmi gjerman nëpërmjet veprimeve gjenocidare-shfarosëse, të ushtruara në kampet e përqendrimit, institucioneve të Kosovës-Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, u ri-drejtohem me kërkesën në vijim:

I

-Burgu i Dubravës, të deklarohet me ligj si Kamp i Instaluar i Përqendrimit  për kohën e luftës në Kosovë në vitin 1999, për shkak të torturimit dhe vrasjes masovike të pengjeve shqiptare të pambrojtura, nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe, në koordinim të plotë dhe dhe në zbatim të urdhrave të autoriteteve më të larta të shtetit serb;

-Kampe të instaluara ose kalimtare të përqendrimit, të shpallen me ligj edhe objektet institucionale të burgjeve dhe të gjitha hapësirat tjera të improvizuara në Kosovë, në të cilat, në periudhën e luftës në vitin 1999, janë mbajtur, torturuar dhe ekzekutuar në mënyrë brutale, pengjet e pafajshme civile shqiptare;

—Burgu i Dubravës, nëpërmjet një akti ligjor, të tjetërsohet nga funksioni  i tanishëm (së paku pjesërisht) dhe të deklarohet si Muze i Gjenocidit shtetëror serb antishqiptar;

II

Prokuroria e shtetit të Kosovës, të nisë urgjentisht hetimet për Masakrën e Burgut të Dubravës e ekzekutuar në periudhën 19-24 maj 1999, në formë të vrasjes masovike të pengjeve shqiptare nga forcat e armatosura të shtetit serb, të paraprira më herët me tortura brutale fizike e psikike dhe trajtim çnjerëzor në ushqim, kushte banimi dhe mosdhënie e ndihmës mjekësore.

Është lehtë e verifikueshme vepra penale e gjenocidit shtetëror serb antishqiptar, duke ditur se objekti i Burgut të Dubravës, gjendej nën juridiksion e kontrollë  të plot të shtetit serb gjatë kohës së luftës, si dhe, dihen botërisht emrat e bartësve të  funksioneve drejtuese  e operative të burgut për kohën e Masakrës.

Besim Zymberi, i mbijetuar i Masakrës në Burgun e Dubravës.

Ferizaj, 27 janar 2022


Ne foto: Kampi i Perqendrimit ne Dubrave, ne maj te vitit 1999

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova dhe…