Ish-i burgosuri i rastit të “Paraçinit”, Riza Xhakli: Pse politikanët s’e nderuan nënën e Aziz Kelmendit?
Ish-i burgosuri i rastit të “Paraçinit”, Riza Xhakli, i cili me shumë ushtarë të tjerë shqiptarë ishte arrestuar në ditët që ishte vrarë Aziz Kelmendi nga Arbana e Prizrenit, ish-ushtar i vrarë nga ushtria dhe sigurimi serb gjatë shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavi, ka reaguar pas varrimit të nënës së dëshmorit të kombit, Aziz Kelmendi, Salë Kelmendi.
Xhakli ka shprehur pakënaqësi të madhe për neglizhencën e paarsyeshme të liderëve shtetërorë dhe lokalë që nuk kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerës, as nuk i kanë shkuar për ngushëllime familjes së saj. Po ashtu, ai ka shprehur respekt të madh për gazetën e përditshme “Epoka e re” dhe për “Radio Kosovën e Lirë” për publikimin e lajmit për vdekjen e saj, ndërsa e ka akuzuar mediumin publik, RTK-në, i cili, sipas tij, nuk ka dhënë asnjë lajm dhe përgatitur asnjë kronikë për vdekjen e nënës së dëshmorit të kombit, Aziz Kelmendi.
Dy reagimet e plota të Xhaklit pa ndërhyrje gjuhësore:
Reagimi i parë:
Të dashur miq, duke dashur t’ju falënderoj të gjithë juve që keni marr pjesë në varrimin e nënës Salë (nënës së Dëshmorit të Kombit Aziz Kelmendi), në ngushëllime te shtëpia e Kelmendëve, që keni shkruar mesazhe ngushëllimi apo na keni telefonuar dhe na keni ngushëlluar për këtë nanë heroinë, nanë, së cilës një Jugosllavi i hypi mbi kokë me lloj lloj maltretimesh e burgimesh, por ajo edhe atëherë qëndroi stoike dhe kurrë nuk u përkul para pushtuesit jugosllav!
Dua të kritikoj dhe të shkruaj një fletërrufe për kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totajn dhe drejtorët e tij, kryetarët e subjekteve politike të komunës së Prizrenit, ata të PDK-së, VV-së, AAK-së, Nisma, të LDK-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Prizreni, që nuk e panë të arsyeshme të marrin pjesë në varrimin e kësaj heroine apo të vijnë te familja Kelmendi dhe të ngushëllojnë familjarët!
Turpi i mbuloftë që të gjithë!!!
Reagimi i dytë:
Të dashur miq, dua publikisht të falënderoj portalin Epoka e Re, portalin Radio Kosova e Lirë dhe portalet tjera, të cilat kanë shpërndarë njoftimin për vdekjen e nënës së Dëshmorit të Kombit Aziz Kelmendi,nanës heroinë Salë Kelmendi(1939-2022)
Por, po ashtu dua të shfaq shqetësimin tim për televizionin publik, RTK!
Më 02.korrik 2022 familja Kelmendi kishte dëshirë që të bëjë njoftimin për vdekjen e nënës.
Kontaktuam RTK-në dhe redaktorja e lajmeve të orës 19:30 të datës 02.korrik 2022 zonja Leonora Bërbatovci u zotua se do ta shpërndanë lajmin në televizion. Përfunduan lajmet në ora 20:00 dhe lajmi nuk u dha. Pastaj kontaktova zotin Festim Kabashi, drejtor i Televizionit dhe pyeta se për çfarë arsye nuk u dha njoftimi për vdekjen e nënës së Dëshmorit Aziz Kelmendi, ai më tha se do të kontaktojë redaktoren dhe në ora 23:00 do ta emetojnë lajmin!
As në atë kohë dhe fare nuk e emetuan këtë lajm.
RTK është televizion publik dhe paguhet nga taksat e qytetarëve dhe është e obliguar të njoftojë publikun edhe për lajme mortore, sidomos për prindër të Dëshmorëve.
Redaktorja në fjalë lëre që nuk e emetoi këtë lajm, por ajo ka thënë, u zotua, që do ta emetojë lajmin dhe atë nuk e bëri!
Athua, vallë, pse veproi kështu?
Përkatësisht pse vepruan kështu redaktorja Leonora Bërbatovci dhe drejtori i Televizionit Festim Kabashi?