Ish i burgosuri shqiptar evokon vuajtjet në burgjet serbe
Riza Xhakli, ish-ushtar i APJ-së, nga komuna e Ferizajt, sot ka evokuar vuajtjet që ka përjetuar disa vjet me radhë në burgjet serbe pas arrestimit të tij në Paraqin të Serbisë 35 vjet më parë. Ai në “Facebook” ka publikuar katër fotografi të burgut në Pozharevc në të cilin i ka mbajtur dënim dhjetë vjet burgim.
Më poshtë shkrimi i tij, pa ndërhyrje:
Sot e 35 vite më parë, pra më 19.shtator 1987 jam burgosur, ku fillimisht më dënuan 15 vjet heqje lirie, mandej Gjyqi Suprem Ushtarak në Beograd ma ngriti dënimin në 20 vjet heqje lirie!
Fotografia e parë është korridori i pavijonit të VII-të në “Zabela” të Pozharecit, Fotografia e dytë dhe fotografia e katërt janë qelitë e pavijonit të VII-të dhe fotografia e tretë është afër fushës së sportit në Pozharec.
Nga rreth 14 vite të kaluara brenda grilave të burgut, vetëm në Pozharec i kam kaluar 10 vjet!
Historik nga rasti i Paraqinit
Më 3 shtator të vitit 1987 në kazermën e Paraqinit vritet ushtari Aziz Kelmendi, ndërsa arrestohen shumë shqiptar të cilët më vonë dënohen me shumë vite burg nga gjykatat ushtarake serbe.
Me burgim të rëndë janë dënuar: Rizah Xhaklin, 20 vjet burg, Abdylxhemil Alimanin, 20 vjet, Afrim Mehmetin, 13 vjet, Pajazit Aliun, 13 vjet, Shefqet Paqarizin, 7 vjet, Enver Behlulin, 5 vjet, dhe Riza Alibashiqin, 14 vjet burg dhe Islam Mahmutin, nga Gjakova, 2 vjet.