Ish-i dashuri i Lady Diana thyen heshtjen: Gazetari i BBC-së manipuloi princeshën
Dashuria e dikurshme e Princeshës Diana, Hasnat Khan, po flet kundër BBC-së, duke pretenduar se princesha ishte “manipuluar” gjatë intervistës së saj të famshme.
Në nëntor, BBC u akuzua për falsifikim të dokumenteve për të siguruar intervistën dhe tani, Khan – një kardiolog, marrëdhënia e të cilit me Dianën filloi në vitin 1995 dhe përfundoi pak para vdekjes së saj në vitin 1997 – pretendon se intervistuesi Martin Bashir shfrytëzoi Dianën.
“Një nga cilësitë e saj më tërheqëse ishte dobësia e saj. Ishte ajo që e bëri të pëlqyeshme atë për publikun. Më vonë e kuptova që Martin i shfrytëzoi ato dobësi,” tha Khan, 62 vjeç, për Daily Mail. “Ai ishte shumë bindës me Dianën. Ishte gjithçka rreth tij, fakti që ai ishte nga BBC, duke qenë i respektueshëm dhe shumë i devotshëm madje. Por ai e mbushi kokën e saj me mbeturina,” -tha Khan, i cili rrallë ka folur publikisht për marrëdhëniet e tij me Dianën.
Khan tha se pasi bisedoi me Bashirin, Diana filloi të besonte se Princi Charles ishte në një lidhje me dadon e djemve të saj, Tiggy Legge-Bourke, dhe u bë paranojake. Pasi u takua në një pub me Bashirin me Dianën, Khan tha se e porositi princeshën që të ishte e kujdesshme.
“Pothuajse që nga fillimi, ai filloi të më bënte pyetje personale dhe të drejtpërdrejta në lidhje me Dianën dhe marrëdhënien tonë. Pse nuk u martuam? Kur do të martoheshim? Këto lloj gjërash,” tha ai. “Kishte diçka në lidhje me Bashirin që nuk më pëlqente. Unë i thashë asaj që të ishte e kujdesshme ndaj tij. Sigurisht që nuk jam naiv. E dija që kishte një pjesë të Dianës që donte të jepte një intervistë, por pyetja ime është; nëse Martin Bashir nuk do të kishte qenë atje për ta bindur atë, a do ta kishte bërë ndonjëherë?” -shtoi Khan.
Shoqja e ngushtë e Princeshës Diana, Rosa Monckton i tha Daily Mail më parë se ajo besonte se intervista e BBC kontribuoi në vdekjen e parakohshme të princeshës. Monckton shkroi se intervista e BBC “e arritur në mënyrë të pandershme, ndoshta ndryshoi rrjedhën e historisë”, duke bërë që Diana dhe Charles të fillojnë procedurat e divorcit dhe nëse kjo s’do kishte ndodhur, me siguri ajo nuk do të kishte qenë në duart e një shoferi të dehur.
Diana ishte e sinqertë në intervistën me Bashir dhe u hap në lidhje me luftën e saj me buliminë, prishjen e martesës me Princin Charles, presionet e martesës me një monark të ardhshëm dhe rritjen e djemve të saj. Ajo vdiq më pak se dy vjet më vonë, në moshën 36-vjeçare.
BBC njoftoi në nëntor se ata punësuan ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Britanike, John Dyson, Lord Dyson për të udhëhequr një hetim të pavarur rreth paraqitjes së Dianës në Panorama.
Princi William e quajti hetimin një “hap në drejtimin e duhur”.