Ish-kampioni i botës drejtoi veturën i dehur, rrezikon 3 muaj burg
Ish-kampioni i botës në peshën e mesme në artet marciale mikse, Israel Adesanya, është deklaruar fajtor për akuzat, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndodhur në vendlindjen e tij, në Zelandën e Re.
“Dua t’i kërkoj falje komunitetit, familjes sime dhe ekipit tim për vendimin që mora për të marrë timonin e makinës pasi piva në një darkë”, ka thënë Adesanya në një deklaratë të dhënë për ESPN.
“Jam i zhgënjyer me vendimin tim për të pilotuar makinën. Ishte vendim i gabuar. E di që njerëzit mund të më ndjekin dhe dua që ata ta dinë se nuk mendoj se kjo sjellje është e pranueshme”, ka shtuar ish-kampioni i botës në UFC, tashmë 34-vjeç.
Ngjarja ka ndodhur më 19 gusht të këtij viti, kur Adesanya u ndal nga policia rrugore dhe pas testit doli se kishte konsumuar shumë alkool, duke kaluar normat e lejuara. Ai po kthehej nga një darkë me miqtë kur u ndalua rastësisht nga policia në Auckland.
Luftëtari i MMA-së do të kthehet në gjykatë më 10 janar për të marrë vesh dënimin. Ai mund të përballet me një gjobë deri në 2680 dollarë dhe/ose tre muaj burg. Adesania humbi me vendim unanim ndaj Sean Strickland në UFC-293, më 10 shtator, në Sidney.