Ish-kandidati për president të Serbisë përkulet para Jasharëve në Prekaz, kërkon falje për krimet serbe
Se do të vinin shumë njerëz për homazhe në Prekaz sot dihej. Por, se para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari do të përkulej edhe një serb nuk pritej.
E veç kësaj, Nikola Sanduloviq kërkoi edhe falje për krejt të këqijat që bashkëkombësit e tij bënë gjatë luftës në Kosovë.
“Kërkoj një ndjesë të madhe dhe kërkoj falje për të gjitha krimet e kryera nga Millosheviqi dhe kjo qeveri aktuale në Serbi, që kanë bërë ndaj jush. Do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm ndaj jush të përgjigjen”, tha ai.
Politikani nga Serbia që po synoi t’ia marrë pushtetin Aleksandar Vuçiqit erdhi në Skënderaj bashkë me liderët shtetërorë të Kosovës, ku dy prej tyre i falënderoi që ia mundësuan vizitën në vendin ku prehen anëtarët e vrarë të Familjes Jashari.