Ish-kapiteni i Interit: Icardi kontrollohej psikologjikisht nga Wanda, bënte çfarë donte ajo
Andrea Ranocchia, ish-kapiten i Interit, ka shprehur kritika të ashpra për rolin e Wanda Nara-s në performancat e Mauro Icardit ku sulmuesi argjentinas ishte pjesë e zikaltërve.
Ish-futbollisti italian 36-vjeçar, i cili ka luajtur për Interin nga viti 2011 deri në 2022 dhe ka qenë 21 herë pjesë e ekipit kombëtar italian, tregoi se “dhoma e zhveshjes e një skuadre të Serisë A nuk është si një grup shokësh në bar. Interesat dhe presionet janë të mëdha. Pas stërvitjes, në orën dy të pasdites, të gjithë shkojnë në shtëpi dhe deri të nesërmen nuk di asgjë për shokët e skuadrës, çfarë bëjnë ose çfarë nuk bëjnë”.
Ranocchia kritikoi ashpër qëndrimin e Wanda Nara-s, e cila në atë kohë ishte gruaja dhe përfaqësuesja e shokut të tij të skuadrës, Mauro Icardi. Ai e akuzoi atë se zbulonte informacione të brendshme nga dhoma e zhveshjes së Interit: “Gjithçka ndodhi vërtet me Wanda-n dhe Icardin. Sa herë që kishte Tiki Taka, të nesërmen shefit të shtypit i dilnin djersë të ftohta. Në atë kohë gjithçka dilte në dritë. Me gjithë respektin, gratë gjithmonë bëjnë gabime kur flasin për dhomën e zhveshjes. Dhoma e zhveshjes është e shenjtë”.
Ranocchia u përpoq ta shkëpuste Icardin nga përgjegjësia për zbulimet e Wanda Naras dhe tha për sulmuesin argjentinas: “Mauro nuk ishte ndonjë mburravec, nuk fliste shumë. Bënte punën e tij dhe kaq. Nuk ishte as shumë shoqëror; fliste me disa shokë skuadre në mënyrë të veçantë, por pastaj mbaronte aty”.
Ish-futbollisti gjithashtu mbrojti Interin nga zbulimet në media të Wanda Narës: “Klubi nuk bën kontrata me një grua që del në televizion… Çfarë mund të bënte Interi? Ishte gruaja ajo që dilte në televizion, jo Icardi. Wanda merrte pjesë në Tiki Taka dhe nxirrte gjëra nga dhoma e zhveshjes. Kujt i bënte mirë kjo? Mauros sigurisht që jo. Jashtë fushe kishte një grua që nuk e ndihmonte dhe krijonte gjithë këtë zhurmë mediatike”.
Lidhur me marrëdhënien mes Wanda Narës dhe Mauro Icardit, italiani ndau mendimin e tij: “Asnjëherë nuk kam dalë me Mauron jashtë fushe, as me të dhe Wanda-n si çift. Ndjesia ime, të cilën po e shohim edhe tani, është që ndoshta ajo e kontrollonte thuajse plotësisht në aspektin psikologjik. Në kuptimin që ai bënte gjithçka që ajo donte, por kjo është thjesht ndjesia ime”.