
Ish-këshilltari i Sveçlës: Elektorati i Gjakovës nuk i votoi deputetët, ministrat dhe zëvendësministrat nga kjo komunë
Lorik Lipoveci, ish-këshilltari i ministrit Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se elektorati i LV-së në Gjakovë nuk i ka votuar kandidatët që kanë qenë deputetë, ministra e zëvendësministra nga kjo komunë.
Ajo ka bërë me dije se elektorati i Gjakovës një gjë të tillë e ka bërë për shkak se të njëjtit nuk kanë bërë asgjë për këtë komunë gjatë këtyre katër viteve.
Lipoveci ka shkruar në “Facebook” se po mos të ishte komunat tjera as ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk do të mund të bëhej deputete.
“Në këto zgjedhje qendrore 2025 elektorati në komunën e Gjakovës nuk i votoi deputetët, ministrat, zv.ministrat të cilët janë nga komuna e Gjakovës, të cilët për 4 /5 vite nuk treguan përfaqësim politik dhe nuk ngritën zërin për Gjakovën! Asnjëri nga kandidatët aktual me vota të cilat i kanë marrë në Gjakovë nuk shkojnë apo nuk do të shkonin për deputet! Edhe ndonjë kandidate e cila ka marrë vota për deputetë si p.sh ministrja A.N. Këto vota nuk janë në tërësi nga Gjakova, pra sikur të mos ishin votat e makinerisë partiake në komuna tjera as kjo kandidate nuk do të shkonte”, ka shkruar ai, duke shtuar se me këtë veprim elektroati i Gjakovës ka treguar emancipim politik.
“Kjo formë e votimit tregon një lloj emancipimi politik të elektoratit. 4/5 vite deputet e ministër me pagë dy mijë euro, asistent, shofer, veturë zyrtare, pa sjellë asnjë projekt kapital strategjik në komunë, pa sjellë asnjë investim të huaj, pa ngritur zërin në parlament për komunën e tyre, pa u kujdesur për qytetarët, shpërfillës të qytetit të tyre duke jetuar shumicën e kohës në luksin e tyre në Prishtinë, në disa raste mendjemëdhenjë e arrogantë, e morët mesazhin e duhur”, ka shkruar Lipoveci, i cili është nga komuna e Gjakovës.