Ish-këshilltari i Sveçlës ia rendit dështimet MPB-së në fushën e administratës publike
Lorik Lipoveci, ish-këshilltar e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelela Sveçla, ka renditur dështimet e kësaj ministrie në fushën e administratës publike.
Ai ka bërë me dije se kjo MPB-ja gjatë këtij mandati ka bërë shtatë dështime flagrante në raport me administratën publike.
Lipoveci ka shkruar në “Facebook”, se Ligji për zyrtarët publikë dhe praktika e ushtrimit të pozitave të larta me ushtrues detyre janë prej shkeljeve më të mëdha.
“Dështimet e MPB-së në fushën e Administratës Publike; Përgjegjës Ministri dhe zëvendësministri i caktuar për administratë publike. 1. Ligji për zyrtarët publikë i shpallur pjesërisht antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Edhe sot jemi dëshmitarë se për shkak të mungesave e formulimeve eksperimentale në këtë ligj, u vonuan pagat publike! 2. Me qindra pozita në administratë, mbahen me vite me ushtrues detyre apo zëvendësues! 3. Ka tri vite që objekti i qeverisë pjesa e ish-‘Rilindjes’ ku kanë qenë të vendosura ‘RTV21’, ‘Princ Kafe’, etj, është liruar nga bizneset aty dhe është paraparë të rinovohet por nuk po kryhet, me qëllim që të vendosen zyrat qeveritare të shpërndara anë e mbanë Prishtinës në objekte private, ku paguhen qira miliona euro pronarëve privat!”, ka shkruar ai, duke përmendur edhe dështimet tjera.
“4. Konkurset publike të punësimit, procedurat në shumë raste po dështojnë, konkurset po përsëriten ka raste nga dy e tri herë! 5. Objektet qeveritare nuk po mirëmbahen mirë në aspekt teknik, higjienik, sigurisë. Ta kujtojmë vetëm Pallatin e Drejtësisë i cili u bllokua për dy vite sepse nuk e rregullonin sistemin e klimës! 6. Shumica e rasteve të shkarkimeve, masave tjera disiplinore, kur kanë shkuar në instanca tjera, janë humbur si çështje nga MPB-ja! 7. Ndonjë reformë thelbësore në administratë publike nuk po shihet!”, ka shkruar Lipoveci.