Ish-këshilltari i Thaçit: Gjykata Speciale argumentimin e ka politik, jo juridik

16 shkurt 2021 | 13:35

Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar ndaj kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova e cila, sipas publikimit të një raportimi konfidencial para diplomatëve evropianë nga “Euronews”, ka thënë se Kosova mund të tentojë ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Prishtinë.

Behramaj ka thënë se kryetarja Trendafilova “sërish me vajtimin e njëjtë qenka munduar t’i jep kahje thellësisht politike ndjekjes penale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së”.

“Është e çuditshme sesi para çdo seance apo vendimi të rëndësishëm, Gjykatës Speciale gjithnjë i rrjedh diçka që godet ultë integritetin e ish-udhëheqësve të UÇK-së”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Behramajt:

Edhe pse po bëhen 6 vjet që kur është themeluar Gjykata Speciale, kryetarja Ekaterina Trendafilova sërish me vajtimin e njëjtë qenka munduar t’i jep kahje thellësisht politike ndjekjes penale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në një “raportim konfidencial” para diplomatëve evropianë, Trendafilova për t’i arsyetuar shpenzimet marramendëse të taksapaguesve evropianë, me argumentet e njëjta politike paska ndikuar indirekt edhe në procesin e ankesës së palëve mbrojtëse për mundësimin e mbrojtjes në liri.

Është e çuditshme sesi para çdo seance apo vendimi të rëndësishëm, Gjykatës Speciale gjithnjë i rrjedh diçka që godet ultë integritetin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Tash iu rrodhi transkripti i një raportimi konfidencial. Më herët iu rrodhën dokumente konfidenciale, që i përdorën si pretekst për arrestimin e krerëve të shoqatave të luftës. Pak ditë më pas, pikërisht nën atmosferën e Zgjedhjeve Presidenciale në SHBA, ku përqendrohet vëmendja globale, në mënyrë të “heshtur” dhe me minimum të vëmendjes i arrestuan katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, që ishin pjesë e aktakuzës së tretë.

Me publikimin skandaloz të propozim-aktakuzës, me rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale, me shtyrjen e seancës së 11 shkurtit për kalkulime politike, me rrjedhjen e transkriptit të rrëfimit para diplomatëve – të gjitha këto para çdo procesi të rëndësishëm që ndërlidhet me krerët e UÇK-së, Gjykata Speciale po shihet qartazi se më shumë e ka qëllim vazhdimësinë e të bërit politikë dhe arsyetimin e shpenzimeve financiare, se të bërit drejtësi. Lidershipi i institucioneve të BE-së do të duhej të shqetësohej me këtë qasje politike në proceset e drejtësisë.

Prej vitit 2011 janë duke u hetuar pretendimet për krime lufte dhe aktualisht, përkundër që janë të arrestuar, Gjykata Speciale ende është në kërkim të gjetjes së bashkëpunëtorëve për ta njollosur luftën e UÇK-së. Por, vajtimi i vazhdueshëm politik, Gjykatës Speciale i ka sjellë vetëm financa të reja, jo edhe dëshmi të reja.

Paaftësia e tyre për argumentim juridik gjithnjë rrëshqet në argumentim politik, ku si duket janë më të suksesshëm. Në fakt, kjo e zbulon edhe esencën e vërtetë të kësaj gjykate: natyrën politike!

Sipas logjikës së operimit të Gjykatës Speciale, pas rrjedhjes së këtij transkripti, a pritet arrestimi edhe i ndonjë diplomati evropian apo i ndonjë gazetari të “Euronews”-it për publikimin e tij?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori italian në Prishtinë, Nicola Orlando ka uruar Albin Kurtin,…