Ish-këshilltari i Thaçit: Gjykata Speciale po vepron me mendësinë e Millosheviqit, po frikëson dëshmitarët
Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidenti Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër aksionet e djeshme të Gjykatës Speciale në Prishtinë.
Ai ka vlerësuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po operon me mendësinë e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
Behrami ka shkruar në “Facebook” se operacionet e djeshme kanë për qëllim frikësimin e dëshmitarëve.
“Prokuroria e Gjykatës Speciale tani po operon me mendësinë e Millosheviçit. Kur filloi të humbë të gjitha betejat në sallën e gjykatës, ka filluar bastisje dhe arrestime politike. Operacionet e djeshme kanë për qëllim frikësimin e dëshmitarëve. Por, Prokuroria e Gjykatës Speciale nuk kanë dhoma të mjaftueshme të burgut për të zënë të gjithë shqiptarët që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të treguar të vërtetën për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës!”, ka shkruar Behrami.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dje ka zhvilluar dy aksione në Prishtinë. Paradite ka bastisur banesën e familjes së heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu, kurse në orët e mbrëmjes ka ndalur ish-komandantin e UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi, i cili është dëshmitar i kësaj gjykate. Pas intervistimit, ai është liruar.