Ish-këshilltari i Thaçit: Nëntori i dytë që udhëheqësit e UÇK-së i gjen padrejtësisht në burg
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Bekim Çollaku, ka thënë se ky muaj shënon dyvjetorin që i gjen padrejtësisht në burg udhëheqësit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës.
Teksa, ka uruar festën e 28 Nëntorit, Çollaku ka thënë se “të mjera dhe të dështuara do të mbesin përpjekjet për ta kriminalizuar UÇK-në, luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi të Kosovës”.
“Nëntori i dytë, 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, i gjen padrejtësisht në burg udhëheqësit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës. Historia botërore nuk na ka mësuar se ndonjë popull ose ndonjë shtet e ka fituar lirinë dhe është krijuar si rezultat i të ashtuquajturës ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.Kosova nuk përbën përjashtim nga kjo e vërtetë historike. Prandaj, të mjera dhe të dështuara do të mbesin përpjekjet për ta kriminalizuar UÇK-në, luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Urime 28 Nëntori, Dita e flamurit kombëtar!”, ka shkruar Çollaku në “Facebook”.