Ish-komandanti i FSK-së: Ëndrra e Serbisë për t’i marrë territor Kosovës, e parealizueshme
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovë, Kadri Kastrati, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se pas përfundimit të demarkacionit me Malin e Zi, është e domosdoshme që herët apo vonë të kryhet edhe shënimi i vijës kufitare me Serbinë, shtet ky i cili vazhdimisht ka shfaqur pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Kur këtij procesi t’i vijë radha, Kastrati kërkon që të mos përsëritet situata e demarkacionit me Malin e Zi, e cila mbajti të bllokuara institucionet dhe çështjen e liberalizimit të vizave, me pretendimin se Kosova humbë tokë.
Kastrati ka thënë për “Ekonomia Online” se para se të nënshkruhet marrëveshja për caktimin e kufirit me Serbinë, duhet të ketë debat gjithëpërfshirës mes pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të ketë pajtueshmëri të plotë rreth kësaj çështjeje.
“Kisha dashur që të mos jetë sikur rasti me Malin e Zi, para se të nënshkruhet një marrëveshje përfundimtare për caktimin e kufirit të ketë debat publik, të ketë përfaqësim të të gjitha partive politike, pozitë e opozitë. Të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të debatohet”.
Kastrati është i bindur se Kosova ka liderë shtetëror të ndërgjegjshëm, të cilët sipas tij, nuk do të gabojnë për t’i dhënë territor Serbisë.
“Me Serbinë, jam shumë i bindur se kemi liderë të ndërgjegjshëm, që kanë sakrifikuar në të kaluarën dhe e dinë çka është liria dhe mundi për të pasur shtet, kemi ekspertë të mjaftueshëm dhe nuk besojë se dikush do të gabojë dhe do t’i jap Serbisë territor. Absolutisht, kjo është e papranueshme”, ka shtuar ai.
Kastrati ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht me kufijtë aktual, derisa i ka bërë thirrje Serbisë që ta heq nga koka ëndrrën se mund të marrë territor asaj.