Ish-komandanti i FSK-së: Agresioni i Rusisë në Ukrainës mund të ndikojë në veri të Kosovës

27 shkurt 2022 | 15:30

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se Qeveria e Kosovës ka reaguar me vonesë në lidhje me agresionin rus në Ukrainë e cila mund të reflektojë edhe në Kosovë.

Kastrati thotë se kryeministri Albin Kurti vetëm para disa ditësh ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovës, e siç thotë ai kjo do të duhej të ndodhte më herët.

Ai shprehet se si situata e luftës në Ukraine nga Rusia, mund të ndikojë veçanërisht në veri të Kosovës.

“Unë mendoj që kanë reaguar me vonesë për arsye që deri para dy ditësh kryeministri e ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ne e dimë që mbi një muaj Rusia ka grumbulluar mbi 160 mijë ushtarë, pajisjet, armatimet rreth Ukrainës dhe është parë që më tepër se një muaj se Rusia dëshiron dhe ka për qëllim ta okupojë Ukrainën dhe është dashur që Qeveria e Republikës së Kosovës të mbledhë më herët Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe t’i analizojë situatën dhe të merr masat adekuate për të marrë të gjitha veprimet e nevojshme në rast se lidhet apo në rast që reflektohet ajo krizë dhe lufta që ka filluar atje dhe që reflekton në Kosovë që të ketë një plan paraprak, çka duhet të veprojë dhe i duhet të veprojë në lidhje me situatën”, tha Kastrati për KosovaPress.

Ai bën thirrje që institucionet e Kosovë duhet të jenë në koordinim me KFRO-in, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me partnerët e saj strategjik.

“Institucionet e Kosovës pasi që lufta ka filluar atje duhet të jetë në koordinim të plotë me NATO-n dhe me KFOR-in këtu në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmes ambasadës në Kosovë dhe me partnerët tanë strategjik që të përcjellin situatën dhe të jenë vigjilent për arsye që ne e dimë fare mirë që KFOR-i është prezentë në Kosovë, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve dhe e përgjithshme dhe duhet të jetë në koordinim të plotë me këto institucione”, thekson ai.

Ish-komandanti i FSK-së flet edhe për situatën e krijuar në Ukrainë, e cila sipas tij, mund të ndikojë në veri të Kosovës duke ditur qëllimin territorial të Serbisë.

“(Situata e Ukrainës) Ka rrezik që mund të ndikojë posaçërisht në veri të Kosovës. Unë e kam thënë edhe më herët që Serbia ka qëllime territoriale ndaj Kosovës është shumë e interesuar që të ketë, të bllokojë veriun e Kosovës dhe për atë arsye mendoj që KFOR-i, Policia e Kosovës por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhet që të jenë shumë vigjilente, të koordinuara mirë dhe të bashkërenduara që të rendisin prezencën e tyre në veri rreth kufijve, të kontrollohet çdogjë, kush hyn dhe kush del dhe ta kenë situatën nën kontroll dhe të mos vjen deri aty që ne të befasohemi nga ndonjë veprim i ekstremistëve apo shërbimeve sekrete serbe apo ruse në veri të Kosovës”, potencon ai.

Forcat e Sigurisë së Kosovës në ndonjë agresion me Serbinë, sipas Kastratit, nuk do të mundet t’ia dalë e vetme dhe për këtë arsye duhet të jenë në koordinim të përbashkët me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in

“Nga këndi im sa unë e kam përcjell Forcën e Sigurisë së Kosovës. Nuk është e përgatitur që vetë t’i dalë balë ndonjë agresioni të mundshëm të Serbisë, mirëpo nëse kërkohet ndonjë gjë e tillë që të jetë në bashkëveprim dhe bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in. Normal që Forca e Sigurisë së Kosovës misionin e tij e ka detyrat që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, me mbrojtjen e kufijve, mbrojtjen e qytetarëve, pasurisë së tyre dhe nëse kërkohet normal që ka edhe për mision të merr pjesë edhe nëpër operacione edhe jashtë Republikës së Kosovës. FSK nuk është total e përgatitur që në mënyrë vetanake t’i dal përballë këtyre sfidave, por unë po them edhe njëherë që me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, është e gatshme të ndihmojë faktorin ushtarak ndërkombëtarë që është prezentë në Kosovë”, tha Kastrati.

Ai komenton edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku tha se Ushtria e Kosovës do të jetë në NATO vetëm për gjashtë muaj, duke i quajtur ato deklarata qesharake.

“Këto janë deklarata qesharake që FSK apo ushtria e Kosovës do të jetë anëtare e NATO-s për gjashtë muaj, janë disa procedura që NATO-ja i ka dhe shtet e tyre i kanë, që parlamentet e tyre duhet që ta votojnë hyrjen e ushtrisë së Kosovës në NATO dhe ato procedura duan kohë, mundet të ndodhë që me procedura të shpejta në bazë të situatës që është krijuar në Ukrainë dhe në bazë të rrezikut që mundte edhe në Ballkanin Perëndimorë të eskalojë situata, të kërkojë që një gjë e tillë të ndodhë më proceduara të shpejta, mirëpo unë mendoj që këto janë deklarata vetëm për të nxitë siç ai e bën çdoherë, mirëpo unë mendoj që Kosova është një mënyrë indirekte edhe pjesë e NATO-s, pasi që NATO është prezentë këtu në Kosovë, NATO është përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve në Republikën e Kosovës dhe normale që nëse sulmohet Kosova, atëherë që për Kosovën mendoj personalisht se vlen artikulli 5 që tash është aktivizuar nga sektari i përgjithshëm i NATO-s se nëse sulmohet një shtet i NATO-s, të gjitha shtetet e NATO-s, e mbrojnë atë shtet dhe Kosova nuk është në NATO, mirëpo NATO është në Kosovë dhe mendoj se kjo do të vlente edhe për Kosovën”, tha ai.

Ndër të tjerash, Kastrati shpreh edhe dëshirën e tij që Kosova sa më shpejtë të jetë anëtare e NATO-s, pasi që vetëm atëherë Kosova do të jetë plotësisht e sigurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj disa…