Ish-komandanti i FSK-së: Situata në Kosovë nuk është e qetë, rreziku është shumë i madh
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha se situata në Kosovë nuk është e qetë, duke theksuar se Rusia me çdo kusht po dëshiron konflikt në Ballkan.
”Pavarësisht se njerëzit thonë se Kosova është e qetë rreziku është jashtëzakonisht i madh, pasi që Rusia dëshiron me çdo kusht konflikt në Ballkan, vendet kyçe ku mund të krijoj konfliktet janë Kosova apo veriu i saj”, tha Kastrati, për RTV21.
Sipas tij, Ligji për Mobilizim duhet të bëhet sa më shpejt.
Duke iu referuar rrezikut të mundshëm, Kastrati tha se më nuk ka me pasur ushtri vullnetare.
”Sa më shpejt të bëhet Ligji për mobilizim, nuk ka me pas më ushtri vullnetare, por mobilizimi nënkupton se edhe aj që është me nënshtetësi të Kosovës, duhet t’i përgjigjet nesër nëse vendi rrezikohet”, tha Kastrati.
Kastrati tha se sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës nuk kemi arritur që ta bartim te gjeneratat e reja përmes shpjegimit.
”Kemi dështuar total, kemi dështuar sepse asnjëherë nuk kemi arritur që njerëzit që kanë protagonistë të luftë, institucionet e arsimit kanë mujt t’i shfrytëzojnë edhe të mbajnë ligjërata në orët e mësimit”, tha Kastrati.
Ai tutje shtoi se ”Liria nuk ka pikë prej qielli, është arrit me mund dhe gjak”.