Ish-komandanti i FSK-së: Ushtrisë i duhen edhe disa vjet për ta mbrojtur sovranitetin

11 gusht 2022 | 08:41

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë se ushtrisë së Kosovës i nevojiten edhe disa vjet për t’i ngritur kapacitetet dhe për ta përmbushur misionin që ka sipas ligjit, e që është edhe mbrojtja e sovranitetit.

Ndonëse thotë se misioni i ushtrisë është i rregulluar edhe me Kushtetutë e janë në fuqi dy ligje, ka ende punë për të bërë ngaqë ushtria ende është në fazë të tranzicionit.

“Ne e dimë që në vitin 2018 janë miratuar dy ligjet. Ligji për Forcën e Sigurisë dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Që nga atëherë ka filluar faza e tranzicionit. Ushtrisë së Kosovës i nevojiten edhe disa vjet për t’i ngritur kapacitetet dhe për ta përmbushur misionin që ka sipas ligjit dhe Kushtetutës. Ai është që ushtria është përgjegjëse për sovranitetin dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe qytetarëve.

Duke pasur parasysh se ende jemi larg këtyre kapaciteteve, mendoj se ushtria e Kosovës ende nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta përmbushur këtë mision”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të investojë më shumë në pajisjet dhe armatimin e Policisë.

Madje ai tha se për këtë nevojitet edhe rritja e numrit të njësiteve për operacione speciale brenda territorit të Kosovës.

“Policia është duke bërë një punë të shkëlqyer. Qeveria e Kosovës do te duhet të investojë më shumë në pajisjet dhe armatimet e policisë dhe të rritë numrin e njësiteve për operacione speciale brenda territorit të Kosovës e cila do të ishte e aftë ti luftojë të gjitha këto fenomene që janë duke ndodhur në Kosovë krimin e organizuar, korrupsionin. Po të investohej më tepër Policia e Kosovës do t’i kryente të gjitha obligimet të cilat i ka sipas ligjeve”, tha Kastrati.

Ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se FSK-ja po punon çdo ditë për fuqizimin e ushtrisë për të mbrojtur çdo cep të Kosovës.

Për këtë ka reaguar ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsa Stefanoviq. Ai ka thënë se s’ka asnjë ligj ndërkombëtar që i lejon Kosovës të formojë ushtri, duke shtuar se vetëm KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur sipas Rezolutës 1244 të OKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot një video…