Ish-komandanti i KFOR-it: Kosova s’duhet të zbatojë me çdo kusht sundimin e ligjit kur bëhet fjalë për targat

30 dhjetor 2022 | 10:22

“Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht. Kërcënimet nga njëra anë janë po aq të rrezikshme sa edhe kërcënimet nga ana tjetër”, tha në një intervistë për DW në gjuhën serbo-kroate ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler.

Ndër të tjera, ish-komandanti i KFOR-it thotë se para se Kosova dhe Serbia të merren me detaje teknike, duhet të merren me pajtimin mes vete.

Po ashtu, Buhler thotë se përgjegjësi për këtë kanë të dyja palët, mirëpo më së shumti ajo serbe sepse në qeverinë e shtetit fqinj, thotë ai, “kanë përgjegjësi edhe politikanët që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit”.

“… mendoj se kemi shumë kohë që merremi me detaje dytësore, detaje të bashkëpunimit teknik. Edhe ato janë të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është pajtimi i Serbisë dhe Kosovës. Për këtë duhen të dyja palët, e mbi të gjitha njëra palë, pala serbe, sepse aty kanë përgjegjësi edhe politikanët që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit.

Kjo vlen edhe për politikanët në Kosovë, të cilët nuk duhet të punojnë tani për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Nëse ky synim pranohet nga të dyja palët, dhe kjo është ajo për të cilën po përpiqet komuniteti evropian, atëherë natyrshëm do të pasojnë detajet teknike”, theksoi Buhler në këtë intervistë të përkthyer nga Klankosova.tv.

Më poshtë, intervista e plotë:

DW: Zoti Buhler, si e vlerësoni situatën aktuale në veri të Kosovës? Sa serioze është ajo?

Erhard Buhler: Besoj se masat që Serbia ka shpallur tani, se do të avokojë për heqjen e barrikadave, janë të përshtatshme. Dhe situata ishte e rrezikshme, sepse gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit. Është e patolerueshme që në Evropë udhëheqja serbe të urdhërojë ardhjen e ushtrisë në kufi dhe të krijohet një kërcënim potencial.

E konsideroj të patolerueshme që lidershipi në Beograd, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar, të përdorë vazhdimisht retorikë lufte. Në anën tjetër, mendoj se nuk është as e mençur që qeveria e Kosovës të insistojë në ato detaje. Targat? E dini si shihet kjo në Evropë? Kjo është një gjë shumë e parëndësishme, nëse merret parasysh se sa vëmendje evropiane është aktualisht e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.

DW: Keni shumë kohë që merreni me Ballkanin, keni qenë komandant i KFOR-it. A është në gjendje KFOR-i t’i përballojë të gjitha këto sfida apo është realisht e mundur që të ndodhë një konflikt?

Erhard Buhler: Unë mendoj se mundet. E dini, Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse forcat e NATO-s janë të stacionuara atje. Unë nuk mendoj se dikush duhet të frikësohet se ky konflikt do të përshkallëzohet vërtet në një shkallë të gjerë. KFOR-i është në gjendje t’i kryejë detyrat e veta dhe do ta bëjë këtë, megjithëse sot është më i vogël në përmasa sesa në kohën time.

Ka plane të nevojshme që lejojnë KFOR-in të kryejë detyrat e tij në çdo kohë, nuk shqetësohem për këtë. Kjo, e dini, ka të bëjë më shumë me imazhin e Ballkanit Perëndimor. Për atë nëse ia vlen të zbatohet shteti ligjor kur bëhet fjalë për targat dhe të pranohet rreziku i përshkallëzimit.

DW: Si e vlerësoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Vuçiq, se serbët në Kosovë duhet të mbrohen si me masa ushtarake ashtu edhe me ato policore? E patë që forcat serbe pak a shumë ishin të mobilizuara në kufirin me Kosovën.

Erhard Buhler: Po, e pashë. Dhe siç e kam thënë tashmë, dënoj faktin që masat që synojnë shtetin e së drejtës përballen me kërcënime ushtarake. Kjo nuk është Evropa që unë imagjinoj. Nuk sillet kështu një qeveri që synon t’i përkasë Evropës. Në anën tjetër, më duhet të them se pala kosovare nuk duhet të zbatojë me çdo kusht sundimin e ligjit kur bëhet fjalë për targat. Duhet të merret parasysh se çfarë efekti ka kjo në të gjithë Evropën. Dhe duhet pasur parasysh se një situatë si kjo që është tani mund të përshkallëzohet pa dashje në çdo moment.

DW: Ka pasur kërcënime jo vetëm nga pala serbe, por edhe nga qeveria e Kosovës, e cila në thelb ka thënë se nëse KFOR-i nuk do të ishte në gjendje, do t’i largonte vetë barrikadat. Si i vlerësoni kërcënimet nga të dyja palët? Sa e rrezikshme është për sigurinë dhe paqen në atë zonë?

Erhard Buhler: Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht. Pra, kërcënimet nga njëra anë janë po aq të rrezikshme sa kërcënimet nga ana tjetër. Do të mbështetesha në forcat mbrojtëse të KFOR-it atje. Ata kanë mjetet për ta bërë këtë dhe po sillen mjaft të zgjuar që e gjithë kjo të mos përshkallëzohet, në mënyrë që të mos ketë përdorim të padëshiruar të armëve të zjarrit. Por, edhe një herë, të dyja palët duhet të marrin përgjegjësi.

Për një kohë të gjatë kemi lejuar që një retorikë e tillë luftarake të vijë nga Serbia. Por edhe ne, nga ana e Perëndimit, kemi mbështetur përpjekjet për zbatimin e disa gjërave në lidhje me targat dhe dokumentet, pavarësisht efekteve anësore. Do t’ju kujtoj për diskutimin nga gushti.

Të dyja qeveritë kishin shumë më tepër për të bërë sesa zgjidhja e këtyre problemeve relativisht të vogla. Të dyja kanë sfida, veçanërisht brenda vendit. Sa i përket Kosovës, mund të përmend vetëm arsimin apo shëndetin. Dhe mund të rendis shumë gjëra të tjera. Ky duhet të jetë fokusi, jo këmbëngulja dhe zbatimi me çdo kusht.

DW: Megjithatë, pa zgjidhjen e marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që nuk do të ketë zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme. Çfarë do të rekomandonit në këtë drejtim? Çfarë zgjidhje politike duhet të ketë? Komuniteti ndërkombëtar është shumë i paqartë kur bëhet fjalë për zgjidhjet politike dhe situatën e sigurisë në atë zonë.

Erhard Buhler: Po, të dytën nuk do ta vlerësoj fare. Dhe sa i përket të parës, mendoj se kemi shumë kohë që merremi me detaje dytësore, detaje të bashkëpunimit teknik. Edhe ato janë të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është pajtimi i Serbisë dhe Kosovës.

Për këtë duhen të dyja palët, e mbi të gjitha njëra palë, pala serbe, sepse aty kanë përgjegjësi edhe politikanët që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit. Kjo vlen edhe për politikanët në Kosovë, të cilët nuk duhet të punojnë tani për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Nëse ky synim pranohet nga të dyja palët, dhe kjo është ajo për të cilën po përpiqet komuniteti evropian, atëherë natyrshëm do të pasojnë detajet teknike.

DW: Por, sigurisht, pajtimi dhe detajet teknike nuk janë të mundshme pa një zgjidhje të përbashkët për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Erhard Buhler: Po sigurisht. Por, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen në frymën e dokumentit të propozuar nga Franca dhe Gjermania, i cili bazohet në situatën në të cilën ndodhej Gjermania në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Dhe atëherë ju jeni në rrugën e duhur. Është në fakt pjesë e të gjithë kontekstit, t’i kushtohet shumë më tepër vëmendje Ballkanit Perëndimor sesa ishte rasti më parë.

Erhard Buhler (66) është gjeneral i ushtrisë gjermane në pension. Në Kosovë fillimisht ka qenë i angazhuar nga viti 2004 deri në vitin 2006 në krye të kontingjentit ushtarak gjerman, ndërsa nga shtatori i vitit 2010 deri në shtator 2011 ka qenë komandant i KFOR-it. Në atë periudhë, në korrik dhe gusht 2011, pati edhe trazira dhe bllokime rrugësh, por gjenerali Buhler u përmbajt nga përdorimi i forcës dhe zgjidhja u arrit me negociata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka uruar veteranët e…