Ish-komandanti i mercenarëve rus ‘Wagner’ arratiset në Norvegji dhe kërkon azil

17 janar 2023 | 09:53

Një ish-komandant në grupin e mercenarëve të Rusisë ‘Wagner’ është arratisur në Norvegji dhe po kërkon azil, pasi ka kaluar kufirin arktik të atij vendi. Lajmi është njoftuar nga CNN që citon policinë norvegjeze dhe një aktivist rus.

Bëhet fjalë për ish-komandantin Andrei Medvedev, i cili në një intervistë me një aktivist rus që ndihmon njerëzit të kërkojnë azil jashtë vendit, tha se ai kishte frikë për jetën e tij pasi refuzoi të rinovonte shërbimin e tij me Wagner.

Medvedev tha se pasi përfundoi kontratën e tij dhe refuzoi ta rinovonte, ai kishte frikë se mos ekzekutohej në të njëjtën mënyrë si Yevgeny Nuzhin, dezertori nga Wagner, i cili u vra në kokë me një vare.

“Sapo na hodhën për të luftuar si mish për top”, i tha ai Vladimir Osechkin, kreut të Gulagu.net, një grup mbrojtës i të drejtave të njeriut, në një bisedë të publikuar në YouTube.

“Kam nënshkruar kontratën me grupin më 6 korrik 2022. Më kishin emëruar komandant të skuadrës së parë të togës së 4-të të repartit të 7-të sulmues. Kur të burgosurit filluan të vinin, situata në Wagner ndryshoi vërtet. Ata pushuan së na trajtuari si njerëz. Na hodhën vetëm për të luftuar si mish për top”, kujton ai.

Medvedev ishte përpjekur më parë të kalonte në Finlandë dy herë dhe dështoi, tha Osechkin për CNN të hënën.

Kreu i Wagner, Prigozhin, konfirmoi të hënën në Telegram se Medvedev kishte shërbyer në kompaninë e tij dhe tha se ai “duhej të ndiqej penalisht për keqtrajtim të burgosurish”.

Grupi mercenar, i kryesuar nga oligarku rus Yevgeny Prigozhin, është shfaqur si një lojtar kyç në pushtimin rus të Ukrainës, së fundmi duke bërë pjesën më të madhe të luftimeve në qytetin e vogël lindor Soledar .

Wagner është zgjeruar globalisht që nga krijimi në 2014 dhe është akuzuar për krime lufte në Afrikë, Siri dhe Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para pak çastesh ka ndodhur një aksident trafiku afër rrethit…