Ish-komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, i quan “shpifje dhe gënjeshtra” dëshmitë e Dediçit në Hagë

03 nëntor 2023 | 18:32

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara nga Rahoveci, ka reaguar ndaj dëshmisë së dëshmitarit Predrag Dediç, në seancën gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka thënë se për rastin e Dediçit është marrë në pyetje nga Dhomat e Hagës për katër orë, ku edhe ka deklaruar të vërtetën e tij.

Sipas Tarës, dëshmia e Dediçit është “e përbërë nga gënjeshtra, shpifje dhe fabrikime”.

“Mbaj përgjegjësinë e plotë për fjalën time publike si dhe kërkoj nga Gjykata Speciale që të përballem me dëshmitarin dhe prokurorinë në çdo moment publikisht për të hedhur poshtë një dëshmi të mbushur me gënjeshtra dhe fabrikime siç është kjo e Predrag Dediç”, ka thënë mes të tjerash ish-komandanti Tara.

lg.php.gif

Ky është deklarimi i plotë i tij (pa ndërhyrje):

Ftesë për Gjykatën Speciale për përgënjeshtrimin e gënjeshtarit Predrag Dedic

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me anë të këtij publikimi me shkrim dua të hedh poshtë dëshminë e fabrikuar dhe të mbushur me të pavërteta nga dëshmitari i Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Predrag Dedic, i cili ishte ftuar që të dëshmonte ndaj figurave kryesore të UÇK-së, të cilët po gjykohen pa të drejtë për luftën e drejtë dhe të pastër çlirimtare.

Fillimisht dua të konfirmoj se me rastin e Predrag Dedic jam marrë ekskluzivisht unë, Ismet Tara dhe rasti i tij është në përgjegjësinë time dhe jo të krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit apo Jakup Krasniqit.

Duke qenë se jam i njoftuar nga afër me rastin dhe e njoh dëshmitarin Predrag Dedic, me plot bindje e them se e gjithë dëshmia e tij është e përbërë nga gënjeshtra, shpifje dhe fabrikime.

Për rastin e Predrag Dedic jam marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, ku për 4 orë kam deklaruar vetëm dhe absolutisht të vërtetën rreth rastit që pretendon Predrag Dedic, duke ftuar edhe kundër-dëshmitarë si gjenerali holandez Ton van Loon dhe drejtor i qendrës së OSCE në Rahovec, austriaku Ëalter Flesher . Deri më sot, nuk ka aktakuzë të ngritur as ndaj meje, as ndaj asnjë eprori apo ushtari të UÇK-se për rastin në fjalë dhe këto gënjeshtra e të pavërteta tani ky dëshmitar me prokurorinë po ja ngarkojnë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Mbaj përgjegjësinë e plotë për fjalën time publike si dhe kërkoj nga Gjykata Speciale që të përballem me dëshmitarin dhe prokurorinë në çdo moment publikisht për të hedhur poshtë një dëshmi të mbushur me gënjeshtra dhe fabrikime siç është kjo e Predrag Dedic.

Është e pakuptimtë se si një Gjykatë e votuar nga dora e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës merret me shpifje dhe fabrikime ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që është krenaria e gjithë kombit shqiptar për luftën e pastër dhe të drejtë.

Ftoj të gjithë gazetarët dhe mediat vendore e ndërkombëtare se jam i gatshëm të jap intervista për t’i hedhur poshtë gënjeshtrat dhe fabrikimet e paskrupullta të Predrag Dediç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll u është kthyer stërvitjeve për…