Ish-kryeministri i Britanisë emërohet sekretar i Jashtëm
Ish-kryeministri i Britanisë, David Cameron është emëruar në postin e sekretarit të Jashtëm, pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka riformatuar qeverinë.
Cameron, 57 vjeç, që kishte qenë kryeministër nga viti 2010 deri më 2016 pati dhënë dorëheqje pas rezultatit të referendumit, i cili ka çuar në largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Zyra e Sunakut ka bërë me dije të hënën se mbreti Charles ka miratuar kërkesën që Cameronit t’i jepet ulëse në Dhomën e Lartë të Parlamentit, duke i lejuar atij të kthehet në qeveri si ministër, pavarësisht se nuk është zgjedhur si anëtar i Parlamentit.
Më herët gjatë ditës, Sunaku ka shkarkuar Suella Braverman nga posti i sekretares së Brendshme. Ajo është përballur me kritika pasi akuzoi policinë se ishte shumë e butë nga protestuesve pro-palestinezë.
Në postin e sekretarit të Brendshëm është emëruar James Cleverly, i cili deri më tani kishte qenë sekretar i Jashtëm.
Sunak është përballur me presion që ta shkarkojë Braverman, e cila ishte përgjegjëse për emigrimin dhe policinë.
Në një sulm të pazakonshëm ndaj policisë javën e kaluar, Braverman ka thënë se policia e Londrës po injoronte “bandat pro-palestineze” që po shkelnin ligjin.
Ajo i ka përshkruar protestuesit që bënin thirrje për armëpushim në Gazë si “marshues të urrejtjes”.
Të shtunën, protestuesit e krahut të djathtë u përleshën me policinë dhe tentuan që të përlesheshin me protestuesit pro-palestinezë në Londër. Kritikët thanë se Braverman ka ndihmuar në nxitjen e tensioneve.