Ish-kryeministri italian vlerëson progresin në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ish-kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema.
Gjatë këtij takimi Pacolli, ka thënë se ende i ka në mendje fjalët që D’Alema ia kishte thënë gjatë varrimit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006.
“Ende i kam në mendje fjalët tuaja në funeralin e presidentit Rugova. Ai vdiq pa e parë të realizuar ëndrrën e tij, Kosovën e çliruar dhe të pavarur”, ka thënë Pacolli.
Më tutje, Pacolli ka kujtuar momentet e organizimit të fushatës mediatike kundër pastrimit etnik serb, në vitin 1999 apo dhe ndihmës humanitare për kampet e të shpërngulurve në Shqipëri, në Mal të Zi, etj.
Ndërsa, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, ka vlerësuar progresin e Kosovës në vitet e fundit.
Duke diskutuar për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ai ka thënë se “shumë hije të së kaluarës do të zhduken me një marrëveshje të drejtë të Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.”
Më tutje, Pacolli e D’Alema kanë biseduar për bashkëpunimin e Kosovës me Italinë dhe rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi.
Pas takimit në ministrin e Punëve të Jashtme, Pacolli dhe D’Alema kanë përshkuar në këmbë sheshin “Nënë Tereza”
Ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema po qëndron në Kosovë me ftesë të kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
/Epoka e re/