Ish-kryeministri izraelit i bashkohet Ushtrisë, për të luftuar Hamasin
Jemi mësuar që liderët dhe politikanët e një vendi, në raste të jashtëzakonshme luftimesh, t’i shohim të ulur në karriget e zyrave të tyre qeveritare.
Por nuk është ky rasti i Naftali Bennet, ish-kryeministrit të Izraelit, i cili menjëherë pas thirrjes së mobilizimit të rezervistëve, si një përgjigje ndaj agresionit të militantëve të Hamasit në jug të vendit përmes një inkursioni të organizuar, i është bashkuar frontit.
Bennet në fakt shihet në një fotografi të publikuar në media sociale, se është paraqitur në front, ku përkatësisht ndodhet në një magazinë armësh dhe nuk dihet nëse ai pritet apo jo ta veshë uniformën ushtarake.
Megjithatë, fakti është se si një politikan i kalibrit të lartë në vendin e tij dhe si ish-kryeministër, Bennet nuk ka zgjedhur t’i ndjekë zhvillimet nga ekrani, por t’i prekë realisht në terren.
Situata është ende e nxehtë në Izrael, me luftimet që priten të zgjasin për disa ditë, sipas Policisë izraelite.
Deri tani janë raportuar 40 të vrarë në Izrael dhe 750 të plagosur. Megjithatë këto shifra janë paraprake.
Po ashtu mendohet se 57 persona janë rrëmbyer dhe po mbahen peng nga Hamasi, prej të cilëve edhe policë e ushtarë.
Me nisjen e raketimeve izraelite në veri të Gazas ndërkaq, bëhet me dije se të paktën 161 persona kanë gjetur vdekjen dhe spitalet atje janë të tejmbushur me të lënduar.