Ish-kryeministri serb: Vuçiqi vet e kishte nënshkruar marrëveshjen për targat
Ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq, ka thënë se çështja e reciprocitetit me tabelat është pjesë e marrëveshjes që Aleksandër Vuçiq e ka nënshkruar me Kosovën para pesë vjetësh.
Sipas Zhivkoviqit, gjithçka që është duke ndodhur aktualisht është “pasojë e veprimeve të Vuçiqit”, shkruan “klix.ba”.
Më tutje, ai ka thënë se është dashur që të kalojnë pesë vjet që Vuçiqi ta kuptojë se ajo çfarë kishte nënshkruar ka qenë gabim dhe se “është vetëm faji i tij”.
“Prandaj ata tashmë po përpiqen ta luajnë shpëtimtarin e serbëve”, ka thënë ai për “Danas”.
Nga dita e djeshme Republika e Kosovës ka filluar implementimin e reciprocitetit të targave. Makinat me targa të Serbisë do të mund të futen në Kosovë vetëm pasi të kenë hequr ato serbe dhe të kenë vendosur tabelat provuese të Republikës së Kosovës.
Një vendim i tillë ka nxitur tensione derisa kemi parë reagime nga BE-ja dhe Ambasada e ShBA-së, që kanë bërë thirrje të mos merren vendime të tjera të njëanshme.