Ish-kryeprokurori serb tregon për bashkëpunimin me Specialen: 500 njerëz i morën në pyetje në zyrat tona në Beograd
Ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviq, ishte shumë aktiv në sigurimin e dëshmitarëve dhe provave për llogari të Prokurorisë së Specializuar të Kosovës.
Madje, ai publikisht e ka pranuar këtë fakt duke u mburrur se ka kontribuar shumë në themelimin e Gjykatës Speciale. Vladimir Vukçeviq, në televizionin serb N1, ka treguar se si personalisht ka kontribuar në themelimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në zyrat e Prokurorisë serbe për krime të luftës. “Më pas do t’i kujtoj vetes se në fakt nuk filloi gjithçka me Dick Martyn, por prokuroria për krime lufte e Serbisë ka një meritë të madhe në themelimin e kësaj gjykate”, ishte shprehur Vukçeviq në N1. Clint Williamson, ish-kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale, kishte punuar ngushtë me ish-kryeprokurorin serb, Vladimir Vukçeviq. Ai ka treguar se 500 njerëz ishin marrë në pyetje nga Clint Williamson në zyrat e tij në Beograd. “Më pas emërohet prokurori special Williamson, me të cilin kam pasur komunikim të mirë, dhe më pas ka marrë në pyetje rreth 500 persona në ambientet e prokurorisë për krime në Serbi. Dëgjoni, ishin 500 njerëz, përfshirë këta 8 dëshmitarë. Kështu që ai e bën këtë pikërisht në zyrën përballë meje. Në fund e përfundon, jep raportin e tij, na falenderon, më falënderon mua personalisht. Dhe mbi atë bazë është themeluar kjo gjykatë”, ishte shprehur Vukçeviq.