Ish-kryeprokurori shqiptar dënohet me 2 vite burg

20 maj 2021 | 15:06

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar me dy vite burg ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Përveç dënimit me burg, GJKKO e ka dënuar Llallën edhe me 5 vite përjashtim nga mbajtja e posteve publike. Po ashtu i është vendosur sekuestro edhe mbi pasurinë e ish-zyrtarit të lartë të Drejtësisë.

Pas këtij vendimi ish-prokurori i Përgjithshën nuk do të shkojë në qeli, pasi ky është një vendim i Shkallës së Parë dhe jo një vendim i formës së prerë. Në seancën e zhvilluar mëngjesin e sotëm, Llalla paraqiti mbrojtjen, ku kërkoi pafajësi pas pretencës të dorëzuar nga prokurori i SPAK, Klodian Braho.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve. Përmes avokatit të tij, Llalla kërkoi të shpallet i pafajshëm për akuzën. Sipas Sokol Hazizajt, çështja ndaj Llallës është e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë dhe e paligjshme. Për avokatin Hazizaj, procesi është i stisur.

Sa i përket shumës prej 7 mijë dollarë për lindjen e djalit të tij në SHBA, avokati tha se pagesat janë bërë nga një mik i klientit të tij, shqiptaro-amerikan, i cili erdhi dëshmoi në Shqipëri për këtë çështje. Në gjyqin ndaj Llallës ishin të pranishëm në sallë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…