Ish-kryesuesi i Kuvendit të komunës së Drenasit i bashkohet Vetëvendosjes
Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar edhe një anëtar i ri nga rajoni i Drenicës.
Lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se partisë së tij i është bashkuar Fatmir Istogu.
Shkrimi i tij i plotë:
Fatmiri i Drenicës në VETËVENDOSJE!
Fatmir Istogu ka qenë një nga aktivistët më të shquar në organizimet ilegale politike të viteve 1980-1990. Si një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes në Drenicë, ai ka dhënë një kontribut të pashoq për shpërndarjen e idesë së Republikës së Kosovës ne Drenicë dhe rajonet përreth. U arrestua në vitin 1989, pas organizimit të demonstratës së 27 marsit 1989 në Skënderaj, por qëndroi i paepur në burg dhe nuk dha asnjë informacion. Gjatë luftës në Kosovë ka qenë i autorizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rekrutimin e vullnetarëve nga Zvicra. Pas luftës Fatmiri ka punuar si oficer për informim publik në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, kurse për dy vite ka qenë edhe kryesues i Kuvendit të Komunës së Drenasit. Me Fatmirin forcohet edhe më tej Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenicë. E mirëprita bashkë me Sabri Kiçmarin dhe Enver Dugollin.