Ish-kryetari i Apelit: Albulena Haxhiu po sillet si militante e jo si ministre
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, e ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se po sillet si militante e partisë së saj e jo si ministre.
Shala në “Five”, tha se Haxhiu duhet të merret me punët e rëndësishme që i ka brenda kompetencave të saj e jo të sillet si militante.
“Haxhiu më shumë po deklarohet si militante e VV-së, se si ministre e Drejtësisë, po do me përfundu mandatin e s’po do me kuptu që është ministre jo militante. Ajo shumë më mirë është me u marrë me tri pozitat, burgjet apo SHKK me u marrë me këto probleme, që dy apo tri here u djeg IML, dhe për ligjet me i hartu cilësore, ato po ia kthen Kushtetuesja. Më mirë të merret me kompetencat e veta se me deklarata politike”, u shpreh ai.
Sipas Shalës, Haxhiu nuk po i kryen në mënyrë të duhur detyrat që i përkasin. Ai i përmendi ikjet e fundit nga burgjet e Kosovës, e që sipas tij janë përgjegjësi e ministrisë që Haxhiu e drejton.
“Albulena nuk e ka kryer detyrën e ministres, kemi skandale në burgjet e Kosovës. Nëse në burgje ikin njerëz, dhe dalin thonë kemi qenë të maltretim, nëse në burgje hyn droga, nëse ka maltretime mes të burgosurve dhe gardianët nuk reagojnë”, tha ai.