Ish-kryetari i Drenasit shpallet i pafajshëm për akuzën për keqpërdorim
Nën përcjellje të policisë e nga burgu, Nexhat Demaku të martën ka ardhur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Por ish-pjesëtari i UÇK-së, që është në vuajtje të dënimit për rastin “Drenica 2”, është shfajësuar për një akuzë sa ishte kryetar komune i Drenasit, raporton KTV.
Ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sepse, sipas Prokurorisë, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke emëruar Mimoza Berishën si inspektore të tregut pa shpallur konkurs publik.
Kështu, sipas aktakuzës, ai i kishte sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe e kishte dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej më shumë se 18 mijë eurosh.
Sipas trupit gjykues, nuk është provuar se Demaku e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.
Në këtë rast ishte i përfshirë edhe ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili gjithashtu është shpallur i pafajshëm.
Tahiraj akuzohej se të njëjtën punëtore e kishte punësuar si edukatore, pa konkurs publik dhe pa përgatitje adekuate, ku më pas, me vendim të tij, e njëjta ishte transferuar në Drejtorinë e Inspektoratit, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej mbi 7 mijë eurosh.
Mbrojtja e Tahirajt ka paralajmëruar se do të kërkojë kompensim të dëmit për klientin e tij.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Demakut e Tahirajt në vitin 2018.