Ish-kryetari i Odës Ekonomike jep ide sesi të ulet çmimi i naftës në Kosovë
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka reaguar për çmimin e lartë të naftës në Kosovë.
Ai ka shkruar në “Facebook” se sikurse sot Qeveria e Kosovës të largojë apo të pezullojë përkohësisht akcizën e naftës, çmimi do të ishte 1,26 euro për litër.
“Sikurse sot të ngrihet TVSH-ja 18% në importin e naftës e të mbetet akciza prej 0.36 euro për litër atëherë çmimi në shitje sot do të ishte 1.49 euro për litër! Është koha për reflektim konkret e të mos shndërrohet Kosova në shtet social”, ka shkruar Gërxhaliu.
Ai ka treguar se çmimi sot në Porto Romano është 1235 euro për ton.
“Transporti , çmimi deri në kufi për doganim, akciza, TVSh-ja dhe kostoja operative në Shqipëri po e bëjnë çmimin e naftës në Kosovë ndër më të lartin në rajon. Zgjidhja ekziston por duhet guxim politik për veprim”, ka shkruar Gërxhaliu.