Ish-liderët studentorë të ’97-s bëjnë homazhe te varri i ish-rektorit Statovci
Njëzet e një vite më vonë, u mblodhëm sërish, pa dallim partiak, për të kujtuar protestën studentore e paqësore të 1 Tetorit 1997.
Ish-liderët studentorë të ’97-s sot kanë bërë homazhe së bashku te varri i ish rektorit të UP-së, prof. Ejup Statovci.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se me Bujarin, prof. Gecën, Dritonin, Muhametin, Milotin, Mihanen, Jetonin, Ilirin, Xhelalin, Lulëzonin, Mentorin dhe Fatbanin evokuan me mall dhe shpresë kujtimet e shkëlqimit studentor nën okupimin e errët.
Postimi i plotë i Kurtit:
Njëzet e një vite më vonë, u mblodhëm sërish, pa dallim partiak, për të kujtuar protestën studentore e paqësore të 1 Tetorit 1997. Bëmë homazhe te varri i ish rektorit të UP-së, Prof. Ejup Statovcit, akademikut të rezistencës, juristit të qëndresës, drejtuesit të universitetit të vetorganizuar shqiptar, në kohët e ashpra të apart’heidit, intelektualit që na priu në protestat e 1997-s.
“Merrni frymë sikur ne!” dhe “Universiteti-Kosova-Studentët sot, nesër vonë!” ishin në mesin e 33 parullave tona që atëbotë e ringritën popullin dhe e ridefinuan politikën.
Me Bujarin, Prof.Gecën, Dritonin, Muhametin, Milotin, Mihanen, Jetonin, Ilirin, Xhelalin, Lulëzonin, Mentorin dhe Fatbanin evokuam me mall dhe shpresë kujtimet e shkëlqimit studentor nën okupimin e errët.