Ish-lojtari i Unitedit përfundon në ligën e dytë turke
Në futboll nuk janë të pakta raste ku futbollistë të caktuar shpërthejnë që në adoleshencë dhe më pas në mënyrë të pashpjegueshme marrin tatëpjetën për poshtë.
I tillë është dhe rasti i mesfushorit brazilian Anderson, emri i të cilit ngjall shumë nostalgji për fansat e Manchester United, por jo vetëm.
Anderson ka qenë pjesë e “Djajve të Kuq” në tetë sezone ku ka arritur suksese si në kampionat por edhe në Champions. Braziliani iu bashkua United nga Porto në moshën 19-vjeçare dhe pati një fillim të shkëlqyer duke siguruar edhe disa grumbullime me përfaqësuesen e Brazilit, por në moshën kur shumica dërrmuese e futbollistëve kapin kulmin e karrierës, Anderson bëri të kundërtën duke u zhytur në një spirale për poshtë që s’kishte fund.
Tani 11 vite më vonë, Anderson ka firmosur me ekipin e Adana Demirspor, klub që militon në kategorinë e dytë të futbollit turk, dhe të mendosh që braziliani është tri vite më i ri se ish-kolegu i tij te United, Cristiano Ronaldo.