Ish-menaxheri i prokurimit në komunën e Klinës dënohet me gjashtë muaj burgim për konflikt interesi

01 dhjetor 2023 | 08:21

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për konflikt interesi, Abaz Foniqi, të cilin e ka dënuar me 6 muaj burgim.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri të enjten gjyqtari Sami Sharraxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Sharraxhiu tha se dënimi i shqiptuar prej gjashtë muaj burgim mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 2 000 eurosh me pëlqimin e të akuzuarit Foniqi, në afat prej 3 muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të akuzuarin Foniqi gjykata e ka obliguar për pagesën e taksave gjyqësore prej 50 eurosh, paushallin gjyqësor prej 50 eurosh dhe fondin e viktimave të krimit në shumën prej 50 eurosh, të gjitha këto në afat prej 15 ditë nga plotëfuqishmëria e aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Foniqi në seancën e shqyrtimit fillestar është deklaruar fajtor lidhur me aktakuzën që i vihej barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të datës 27 korrik 2023, i pandehuri Abaz Foniqi, në cilësinë e personit zyrtar-menaxher i prokurimit të komunës së Klinës, me 27 dhjetor 2018, 18 dhjetor 2019, 10 korrik dhe 5 tetor 2020, në këtë komunë kishte marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare për të cilën është dashur të dijë se ndonjë anëtar i familjes së tij ka të bëjë me interes financiar kishte nënshkruar 4 kontrata me operatorin ekonomik “Ilir-Kosova”për furnizimin me pajisje të teknologjisë informative, në vlerë prej 38 mijë e 768 euro kontrata e parë, 5 mijë e 267 kontrata e dytë, 14 mijë e 822 euro kontrata e tretë dhe 1 mijë e 738 euro kontrata e katërt.

Kjo, sipas aktakuzës, ka nënkuptuar se nuk ka pasur konkurrencë të mirëfilltë dhe me këto veprime i akuzuari Foniqi ka favorizuar kompaninë në të cilën punon vajza e të pandehurit, Agnesa Abaz-Foniqi, duke i mundësuar interes financiar operatorit të lartcekur.

Me këtë veprim i akuzuari Foniqi ngarkohet se në vazhdim ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 417, par. 2, lidhur me par. 1 dhe lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia realizoi një aksion të madh për kapjen e të…