Ish-ministri Bajram Hasani jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në Nismën Socialdemokrate
Ish-ministrit i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Nismën Socialdemokrate.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar arsyet e largimit të tij nga Nisma Socialdemokrate.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur miq,
Shumë të respektuar aktivistë të NISMA për Kosovën,
Siç edhe jeni në dijeni ka ca muaj që nuk jam aktiv në NISMA për Kosovën. Rrugët tona sot po ndahen edhe zyrtarisht. Dua të ju njoftoj të gjithëve se që nga sot jap dorëheqje nga të gjitha detyrat e mia në këtë subjekt.
Prej themelimit të NISMA’s kam qenë tejet aktiv në të gjitha aktivitetet që kanë pasur të bëjnë me rritjen, shtrirjen dhe promovimin e kësaj partie që bashkë me miq e ndërtuam me shumë mund e punë.
Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam kursyer asgjë as financiarisht që ky subjekt të jetë ku është sot.
Kam pasur ditë prej më të mirave dhe ditë po ashtu të rënda. Sot dalë ballëhapur para të gjithëve sepse kam punuar vetëm ndershëm. Bashkë me njerëz të mirë me të cilët kam rrugëtuar edhe si kryetar dege, si anëtarë i kryesisë qendrore të NISMA’ s por edhe për një vit si ministër i kësaj partie në Qeverinë e Kosovës, kemi punuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, për popullin tim, për fëmijët tanë.
Por, ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi. Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës. Thjeshtë ne nuk shikonim në drejtim të njëjtë me drejtuesit e partisë.
Miq, unë do të vazhdoj të jem pjesë e politikës. Bashkë me ata që më përkrahën, ata që më deshën do të vazhdojmë të japim kontributin tonë ruajtjen e shtetit, zhvillimin e tij dhe hapjen e perspektivave të reja. Kosova ka nevojë për njeriun e ndershëm, punëtorë dhe që e do këtë vend jo vetëm kur të ofron privilegje, por që je i gatshëm kurdoherë për të. Lufta jonë tash e tutje është për ta mbrojtur atë që u ndërtua mbi gjakun dhe mundin e shumë qytetarëve.
Edhe një herë, shumë respekt dhe falënderim për ju që më mbështet dhe ju pata krah në rrugën time.
Shihemi shpejt në projekte të reja!