Ish-ministri britanik: Spanja refuzon njohjen e Kosovës ndërsa propozon takim me shtetet e Ballkanit për të diskutuar zgjerimin
Denis MacShane, ish-ministër i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Evropën e cilëson si joreale se si Spanja, e cila nga 1 korriku e këtij viti ka marr drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, po refuzon të normalizojë marrëdhëniet me një shtet kyç të Ballkanit Perëndimor duke aluduar te Kosova.
Spanja është njëra ndër 5 shtetet e unionit që ka qasje të ngurtë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Për MacShane, i cili ka shërbyer për më shumë se 3 vjet si Ministër për Evropë në kabinetin e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, e gjithë kjo situatë është bizare për faktin se presidenca e BE-së ka propozuar që gjatë periudhës gjashtëmujore të mbahet një takim i nivelit ministror në mes të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor për të analizuar perspektivat e anëtarësimit të rajonit në BE.
“Presidenca spanjolle e BE-së do të mbajë takim në Ballkanin Perëndimor për të diskutuar zgjerimin. Surreale kur Spanja refuzon të normalizojë marrëdhëniet me një shtet kyç të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai në platformën sociale e emëruar rishtazi si “X”.