
Ish-ministri gjerman sugjeron që Kanadasë t’i ofrohet anëtarësimi i pjesshëm në BE
Ish-ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka sugjeruar që Kanadasë t’i ofrohet anëtarësimi i pjesshëm në Bashkimin Evropian.
“Ndoshta jo si një anëtar i integruar plotësisht si të tjerët, por ndoshta pjesërisht”, tha socialdemokrati, shkruan yahoonews.
“Evropa duhet t’i rezistojë shtytjes së presidentit Donald Trump për ta bërë Kanadanë pjesë të ShBA-së”, tha Gabriel, i cili shërbeu si ministër i Jashtëm nga viti 2017 deri në 2018 dhe ishte zëvendëskancelar nga 2013 deri në 2018, kur Angela Merkel ishte kancelare.
“Më evropian se disa anëtarë të Bashkimit Evropian”
“Në çdo rast, Kanadaja është më evropiane se disa anëtarë të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Raportohet se Trump vazhdimisht e ka quajtur Kanadanë si shtetin e 51-të të ShBA-së.
Ndryshe, presidenti amerikan ka ushtruar presion ndaj fqinjit të tij verior përmes tarifave, duke bërë që Kanada të vendosë tarifa për importet e disa automjeteve nga ShBA-ja.