Ish-ministri Hasani përkujton gjyshërit martirë, kujton porositë që ia lanë
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në 20-vjetorin e martirizimit të gjyshërve të tij ka kujtuar ata.
Hasani përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka kujtuar fjalët e porositë që ua kanë lënë gjyshërit të cilët 20 vjet më parë u vranë barbarisht nga serbët, të cilët nuk kursyen as të moshuarit.
Në 20-vjetorin e martirizimit të tyre, ish-ministri Hasani me familjarë kanë vendosur kurora lulesh dhe janë përulur para varrit të tyre.
Postimi i plotë i tij:
Liria është shumë e shtrenjtë, sepse atë e paguam me jetën dhe gjakun e më të dashurve tanë.
Sot bëhen 20 vjet nga rënia e gjyshërve të mi Miradijes e Ukshinit. Ata nuk patën asnjë faj, qëndruan në votrën shekullore, në derën e shtëpisë së tyre dhe u vranë nga xhelatët. Të paarmatosur po me dinjitet gjyshi e gjyshja ju bashkuan karvanit të martirëve e dëshmorëve të kësaj toke.
Nuk i harroj as sot e kësaj dite fjalët e gjyshes që na thoshte se secili duhet ta kryejë obligimin njerëzor që ka ndaj Atdheut dhe ndaj Zotit.
Nëse në luftë kishim detyrë që duke u flijuar deri në vdekje ta kryenim detyrën ndaj atdheut, sot kjo detyrë përmbushet duke punuar ndershëm, duke mos e vjedhur e plaçkitur vendin tënd. Vetëm kështu mund të ecim tutje dhe të nderojmë ata që ranë.
Gjyshe e gjysh, JU jetoni përjetësisht në altarin e lirisë së kësaj tokë!