Ish-ministri Hasani reagon pas inicimit të padisë nga MTI-ja, thotë se po bëhet hakmarrje ndaj tij
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka iniciuar procedurë gjyqësore ndaj ish-ministrit Bajram Hasani.
Padia vije me arsyetimin se ish-ministri Hasani ka marrë mjete si paradhënie nga arka e kësaj ministrie në vlerën rreth 2200 euro.
“Në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr.MSHP 2004/07 për udhëtimet zyrtare kërkojmë këtë inicim të padisë: Lidhur me inicimin e padisë keni këto elemente-dëshmi si në vijim: Kërkesën e vazhdueshme me telefon nga MTI për z. Bajram Hasani për kthimin mjeteve të marra; Kërkesën për paradhënie të datës 14.05.2018 në shumën prej 1,9025.05 euro si dhe dëshminë e dorëzimit të shumës; Kërkesën për paradhënie të datës 13.08.2018 në shumë prej 307.50 euro si dhe dëshminë e dorëzimit të shumës”, thuhet në dokumentin e padisë ndaj ish-ministrit Hasani.
Por ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se me këtë Nisma Socialdemokrate ka nisur një fushatë të egër dhe të ulët ndaj tij, siç thotë ai në shenjë hakmarrjeje për largimin nga kjo parti.
“Nisma Socialdemokrate ka nisur një fushatë tejet të egër dhe të ulët ndaj meje si shenjë hakmarrjeje për largimin tim nga kjo parti. Duke i shfrytëzuar institucionet shtetërore ata po provojnë të më akuzojnë se kinse si kam arsyetuar 2 mijë e 300 euro. E para të gjitha faturat për këto mjete janë fshehur qëllimshëm. Për këtë i kam dëshmitë të gjitha faturat dhe pagesat janë bërë përmes kartelës bankare. Këtu nuk ka të bëjë me paradhënie siç pretendohet por pagesa të rregullta të kryera përmes kartelës bankara. Është shpifje e ulët se unë i paskam marrë këto para”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj kësaj shpifje. “Fshehja e dëshmive po ashtu është e dënueshme. Unë do t’i padisë për shpifje. Me përgjegjësi të plotë morale ju them se kjo është vetëm një fushatë hakmarrëse ndaj meje!”, ka shkruar ish-ministri Hasani, i cili në këtë shkrim ka publikuar edhe dëshmitë, kartela dha faturat.
/Epoka e re/