Ish-ministri i Energjisë: Absurde që disa familje u shkyçën nga rrjeti i Termokosit, pasi me rrymë iu kushtonte më lirë ngrohja
Fadil Ismaili thotë se largimi i bllok-tarifave në vitin 2017 ishte gabim shumë i madh.
Ish-ministri i Energjisë nga radhët e AKR-së, Fadil Ismaili, thotë në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini se largimi i bllok-tarifave në vitin 2017 ka qenë një prej gabimeve shumë të mëdha që kanë bërë qeveritë e kaluara.
“Kthimi i bllok-tarifave është shumë i vonuar. Largimi i bllok-tarifave në vitin 2017 ka qenë gabim shumë i madh. Sistemi energjetik i Kosovës më së mirë funksionon me bllok-tarifa pasi termocentralet nuk janë shumë fleksibile krahasuar me hidrocentralet”, deklaroi Ismaili, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se me këto çmime të ulëta qytetarët edhe problemin e ngrohjes e kanë orientuar te rryma elektrike.
“Me këto tarifa të reja qytetarët do të detyrohen të bëjnë zgjidhje tjera, qoftë duke izoluar shtëpitë më shumë, apo duke bërë zgjedhje më efiçente”.
Ish-ministri thotë se megjithatë qytetarët nuk kanë faj që kanë zgjedhur ngrohjen me rrymë pasi që çdokush zgjedh ajo që është më pak e kushtueshme.
“Çdo njeri normal synon të zgjedh ajo që është më e mirë dhe më e lirë. Në këtë rast rryma ka qenë më e mirë dhe më e lirë për ngrohje”.
Ismaili thotë se njeh disa raste që janë shkëputur nga rrjeti i ngrohjes qendrore, për arsye se me rrymë iu kushtojnë më lirë.
“Ky është absurd mbi absurdin që ndodh në Kosovë”, deklaroi tutje Ismaili.