Ish-ministri i Energjisë thotë se nuk do të kishte krizë për rrymë nëse do të ndërtohej ‘Kosova e Re’
Për krizën energjetike dhe rikthimin e reduktimeve të energjisë elektrike pas disa viteve, po fajësohen qeveritë e kaluara dhe ekzekutivi i tanishëm. Për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku po fajëson politikën, duke thënë se sektori i energjisë kërkon një konsensus politik. Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Profesori universitar, Çeku thotë se të vetmet zgjidhje të krizës energjetike në vend janë ndërtimi i blloqeve të vogla deri 200 megavat në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Brukselin si dhe zhvillimi i sektorit të energjisë së ripërtritshme. “Është problem i madh çështja e energjisë elektrike dhe furnizimit me energji elektrike, u prishën projekti ‘Kosova C’ (Kosova e Re), nuk u zhvilluan ato projekte dhe dihet pse. Dhe tani ne duhet të mendojmë seriozisht, por që nevojitet një konsensus i përbashkët mes pozitës dhe opozitës për një plan zhvillimor në fushën e energjisë… A është me faj kjo qeveri për krizën aktuale? Po, normal. Të gjithë kemi faj, të gjitha qeveritë bartin përgjegjësi kur është ndërprerë projekti ‘Kosova C’ që ishte paraparë për prodhimin e 1,000MWh energji elektrike, dhe që do ta zgjidhte problemin e Kosovës për energji. Dhe u ndërprit ai projekt, dhe të gjitha investimet janë bërë të përkohshme”, thotë Çeku.
Çeku, që shërbeu si ministër në periudhën 2002-2004, thotë se e vetmja zgjidhje e problemit në fushën e energjisë në Kosovë, përpos energjisë alternative është hapja e mundësive të ndërtimit të blloqeve të vogla deri 200MWh, në koordinim me Bankën Botërore dhe Brukselin.