Ish-ministri i jashtëm, Hoxhaj: Serbia hegjemoniste po kërcënon paqen në Kosovë dhe Ballkan
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Lidershipit në Tiranë, të organizuar nga Federata e Ambasadorëve të Paqes.
Në fjalimin e tij ka thënë se Serbia hegjemoniste po e kërcënon paqen në Kosovë dhe Ballkan.
“Dilemat e sigurisë dhe kërcënimi i paqes në Ballkan, nuk janë rikthyer vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, por janë pasojë e mospërmbylljes së plotë të konflikteve në rajon! Paqja po kërcënohet për shkak të shovenizmit serb dhe politikës hegjemoniste, sikurse tregojnë ngjarjet në veri të Kosovës, tensionet në Bosnje dhe ballafaqimi i ri me Kishën serbe në Mal të Zi”, ka theksuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se përmbyllja e shtetësisë së Kosovës me anëtarësim në OKB, përshpejtimi i integrimit evropian të rajonit dhe anëtarësimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjes janë gurthemele për evitimin e konfliktit në Ballkan.