Ish-ministri i Mbrojtjes mirëpret vendimin për fondin e sigurisë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, e ka quajtur hap të duhur vendimin e Qeverisë së Kosovës për krijimin e Fondit të Sigurisë.
“Është vendim i mirë me qëllimin që të rriten kapacitetet e institucioneve të sigurisë. Sigurisht se me rritjen e kapaciteteve do të rritet edhe niveli i sigurisë”, është shprehur Berisha.
Ai në emisionin “Portofol” në “Klan Kosova FM” ka thënë se me situatën aktuale të sigurisë në botë, veprimet për ta shtuar sigurinë janë të duhura.
“Sfidat e sigurisë në botë janë në rritje dhe ato janë të paparashikueshme. Duhet të mendojmë për veten dhe mbrojtja e siguria nuk kanë çmim. Duhet të jemi të angazhuar dhe t’i ngrisim kapacitetet për vetëmbrojtje”.
“Kjo çështja e fondit duhet të rregullohet me ligj në parlament dhe të mbështetet nga të gjitha partitë. Nuk bëhet ushtria dhe institucionet e sigurisë pa mjete e pajisje, e pa fonde, qoftë të qeverisë, donacione, apo kështu”, ka thënë ai.