Ish-ministri Reçica: Kjo qeveri s’ka bërë asnjë punë për mirëqenien e qytetarëve
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë pothuajse asnjë punë që do ta përmirësonte mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, edhe shkrirja e Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), shpërndarja e saj në dy-tri ministri tjera tregon sa ka qenë e përkushtuar kjo qeveri në trajtimin dhe adresimin e problemeve të cilat prekin mirëqenien e qytetarëve.
“Realisht, po të më pyetesh me numra, një-dy-tre punë nuk e di t’i numërojë dhe kjo flet vetë. Po ta analizojmë, unë po flas për temat që prekin mirëqenien e qytetarëve, më thuaj, cili ka qenë një vendim, një ligj ose një reformë që këta e kanë bërë për mirëqenien e qytetarëve. Ma thuaj cili ka qenë ndonjë vendim i cili ka qenë një ligj ose një reformë që e kanë bërë dhe që thonë këtë punë e kanë bërë”, ka thënë ai.
Reçica shton se Qeverisë Kurti nuk i ka munguar shumica parlamentare për të funksionuar siç duhet në realizimin e kërkesave të qytetarëve, por që sipas tij nuk e kanë pas primare interesimin për ta.
“Po flasim për një qeveri që e ka pasur shumicën parlamentare dhe në një rrethanë çfarë këta e kanë operu, çfarë kanë qeverisë me vendin nuk është dashur shumë diskutime të bëhen për temat. Nuk është dashtë të bëhet madje kompromisi, sepse ne e dimë që në demokraci, nëse s’e ke shumicën parlamentare, temat që ti dëshiron t’i shtysh në parlament, në njërën mënyrë apo tjetër duhet ta gjesh një kompromis edhe me partnerët e tjerë. Këta nuk kanë pasur nevojë, sepse e kanë pasur shumicën parlamentare. Unë bëj pyetje, pse i kanë shtyrë disa tema të cilat kanë mujt lehtësisht t’i kryejnë, sepse e kanë pas shumicën parlamentare… Por, sikur me secilën temë tentohet të targetohet vota, jo mirëqenia e qytetarit dhe jo interesi publik i qytetarëve”, ka thënë ish-ministri, dikur pjesë e Nismës Socialdemokrate.
Ndërsa, bashkimin e Ministrisë për Mirëqenie dhe Punë Sociale me atë të Financave, Reçica e sheh shqetësuese, ndërsa udhëheqjen e këtij dikasteri nga Hekuran Murati e sheh për keqardhje.
“Për mua është shqetësuese fakti së si është sjellë kjo Qeveri në këtë mandat, por edhe në mandatin e parë të saj. Kjo ministri në vete trajton tema të cilat prekin jetën e qytetarëve, mirëqenien, kategoritë të cilat kanë më së shumti nevojë për trajtimin meritor të tyre, për trajtimin në një mënyrë krejt tjetër që do duhej ta bënte shteti për to. Për mua, po të analizohet puna që është bërë në kuadër tani të Ministrisë së Punës dhe Transfereve e cila ka pjesën dërmuese të këtyre departamenteve është për keqardhje dhe unë konsideroj që kjo do të jetë një kambanë për vetë qytetarët e Kosovës, për të parë së si kjo qeveri po trajton temat të cilat kërkojnë seriozitet, përkushtim dhe vëmendje jashtëzakonisht të madhe. Kjo flet më së miri, së sa serioze ka qenë kjo qeveri në trajtimin e këtyre temave. Shkrirja e Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale, shpërndarja e saj në dy tri ministri tjera, tregon më së miri sa ka qenë e përkushtuar dhe sa është përkushtimi i kësaj qeverie në trajtimin dhe adresimin e problemeve të cilat prekin mirëqenien e qytetarëve, por edhe të kategorive tjera”, ka thënë Reçica për EO.
Reforma e skemës së ndihmës sociale, reforma e sistemit pensional të marrëdhënies së punës, ish-ministri ka thënë se janë miratuar nga Qeveria Haradinaj, por Qeveria e tanishme ka hedhur poshtë këto reforma duke mos i çuar tutje.
“Reforma e skemës së ndihmës sociale, reforma e sistemit pensional të marrëdhënies së punës u draftua nga ekipi që unë e drejtoja së bashku më administratën e punës dhe sociale, në mbështetje edhe të partnerëve ndërkombëtare të Fondit Monetar të Bankës Botërore. Dokumentet të cilat në një mënyrë u miratuan edhe nga këto mekanizma ndërkombëtar, por ja që nuk arritëm të përcjellim në parlament, për shkak të zhvillimeve politike dhe e mbaj mend kur unë i kam dorëzuar mandatin ministrit Murati, ndër tjera ia kam dorëzuar edhe këto tri dokumente”, ka thënë ai.
Ai thekson se këto skema kanë qenë të përfunduara në aspektin e dëgjimit publik dhe atë të draftimit të tyre.
“Kanë qenë edhe të përfunduara, në aspektin e dëgjimit publik, në aspektin e draftimit të tyre dhe e kam shpreh gatishmërinë time, që për aq sa di dhe mundem, do të jem në gjendje që çka do që ka nevojë në këto tri nisma të cilat unë konsiderojë që ishin jetike dhe janë jetike për vendin dhe qytetarët e saj, e kanë mbështetjen time. Për çudi, nuk kemi parë që kanë bërë lëvizje në këtë drejtim, kam përshtypjen se kjo qeveri po udhëhiqet nga një mentalitet ‘hë për hë’, sikur në kohën e pandemisë”, ka thënë ish-ministri.
Mungesa e skemës së mirëfilltë për qytetarët duhet të jetë qëllimi kryesor i Qeverisë, sipas Reçicës, kjo për faktin se sipas tij, mund të iu sjellë benefite qytetarëve të vendit, e sidomos kategorive të veçanta.
“Në Kosovë, kaq vite pas çlirimit, kaq vite pas pavarësisë dhe nuk kemi një sistem pensional të mirëfilltë, për besë konsideroj se është turp nga ana e institucioneve të Kosovës. Ne kemi 22 skema të cilat rregullohen me tetë ligje, ato tetë ligje bien ndesh shpeshherë me njëra tjetrën dhe kush pëson, pëson qytetari, pësojnë kategoritë siç janë kategoritë e dala nga lufta. Pastaj, pësojnë personat me aftësi të kufizuara, kështu që vetëm një reformë e mirëfilltë e sistemit pensional do të adresojë këto çështjen të cilat do të sjellin pastaj benefite për vetë qytetarët”, ka thënë ish-ministri për Ekonomia Online.
Sa i përket nivelit të papunësisë në Kosovë, Reçica, ka thënë se vazhdon të jetë shqetësues në vendin tonë dhe ajo se çka do të ndihmonte në këtë rast, sipas tij, do të ishte një Ligj i ri i Punës i cili do të sanksiononte si punëdhënësin ashtu edhe punëmarrësin. Mirëpo, mungesa e kësaj po shkakton që për shkak të papunësisë së madhe të rinjtë të largohen nga Kosova.
“Në raport me shkallën e papunësisë, trajtimin e atyre që kanë marrëdhënie të punës më së miri tregon që secili punëtor ka halle e brenga të veta, për ta gjetur një vend të punës. Pastaj ballafaqohet me situatat nga më të ndryshmet në vendin e punës dhe krejt këto si rezultat i një ligji të ri të punës, i cili do të sanksiononte, edhe të drejtat e punëtorëve, por edhe të drejtat e punëdhënësve. Nuk duhet harruar dhe potencuar faktin, që janë të gjitha këto edhe ato që i përmendem më herët edhe këto tani që po i diskutojmë për shkallën e papunësisë. Të gjitha këto po ndikojnë dhe sikur po mbjellin mllef të qytetarët, në veçanti tek të rinjtë dhe e vetmja rrugë për ta, po mbetet pastaj gjetja e një alternative për ta lëshuar vendin dhe unë mendoj se kjo është një kambanë për drejtuesit e shtetit”, ka thënë ai.
Zhvillimi ekonomik, shqyrtimi më i madh i çështjeve sociale dhe politike, sipas Reçicës, do të garantonte një përmirësim gjeneral sa i përket uljes së nivelit të papunësisë. Një mungesë të lartë të këtij zhvillimi, ish-ministri po e adreson edhe te fakti se qëndrojmë në një vit zgjedhor në Kosovë, ndërsa në botë flitet për një luftë të mundshme, e që të dyja këto ndikojnë negativisht në mundësinë e investimeve.
“Kosova ka mund të jetë në një shkallë krejt tjetër, sa i përket papunësisë, ka mund të jetë edhe zhvillimi ekonomik si garant i gjenerimit të vendeve të reja të punës në një shkallë krejt tjetër. Sikur ta kishim pas një seriozitet në trajtimin e të gjitha temave, jo vetëm atyre të çështjeve sociale, por edhe atyre politike. Si mund të flasim për një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik ose për rritjen e investimeve, kur drejtues më të lartë të shtetit çdo ditë tashmë jemi hy edhe në një vit zgjedhor, tashme çdo ditë flasim për mundësinë e një konflikti një lufte, që realisht dëmtojnë mundësinë e investimeve”, ka thënë ai.
Paga minimale e punëtorit në Kosovë është më e ulëta në rajon ka thënë ish-ministri Reçica. E një përmirësim të kësaj nevoje për qytetarët, do të ishte implementimi i ligjit të draftuar të ish-Qeverisë Haradinaj.
“Ne vazhdojmë, vazhdimisht me nxjerr zërin se kemi pagën minimale më të ulët në rajon por nuk nxjerrim alternativa për ta ndryshuar këtë, pastaj ato që i nxjerrim sikur i bëjnë të pamundur për të zbatuar. Ku janë të drejtat e punëtorëve, përderisa kemi një ligj të punës aktual në fuqi i cili në një mënyrë apo tjetër nuk adreson sakte mirë dhe së si duhej të drejtat e punëtoreve në raport me punëdhënësin. Shihet më së miri se ku janë të drejtat e punëtorëve, ku është situata e tyre, pastaj unë e përmenda më herët janë një mori arsyesh të cilat kanë sjell situatën që punëtorët të mos ndihen aq të sigurt të mos i gëzojnë të drejtat e tyre aq sa duhet në vendin e tyre të punës. Prandaj po e them, ligji i ri i punës të cilin ne e draftuam sa ishim në qeveri, konsiderojë që në një masë bukur të lartë do të adresonte sikur të miratohej nga qeveria ose parlamenti, do të adresonte problemet me të cilat ballafaqohet fuqia punëtore në Kosovë”, ka thënë Reçica për Ekonomia Online.