Ish-ministri Saimir Tahiri lirohet nga burgu
Maks Haxhia avokati i Saimir Tahiri ka deklaruar se ish-ministri i plotëson kushtet për dënim alternativ. Para mediave avokati tha se ky vendim jepet kur plotësohen 5 kushte. Arsyeja kryesore në rastin e lirimit të Tahirit, avokati tha se është gjendja e përkeqësuar shëndetësore e bashkëshortes së tij, që i pamundëson të kujdeset për 2 fëmijët e mitur.
“Kodi Penal thotë që ka një sërë dënimesh alternative, në të cilat përfshihet edhe qëndrimi në shtëpi. Dhe për të marrë këtë vendim, për të arritur në këtë konkluzion duhet të konkurrojnë 5 kushte. Kushte sipas Kodit Penal janë vepra për të cilën është dënuar kërkuesi, duhet të ketë rrezikshmëri të ulët shoqërore. Kuptohet që është dënuar për shpërdorim detyre që gjasat janë me ndryshimet e reja që mund t’i bëhen Kodit Penal, të hiqet fare si vepër penale. E dyta vetë personi të paraqesë rrezikshmëri shoqërore të ulet.
Kuptohet që Tahiri në këtë rast s’mund të pretendohet që ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për këtë vepër. E treta është t’i ketë ngelur më pak se 2 vjet. Nga 3 vjet e 4 muaj, Tahirit i kanë ngelur 1 vit e 7 muaj e 11 ditë. E katërta të ketë fëmijë të mitur në ngarkim, që i ka dy fëmijë.
Dhe e pesta është që bashkëshorti i lirë, që nuk është i dënuar, duhet që të jetë në pamundësi shëndetësore dhe në këtë rast bashkëshortja e Saimir Tahirit vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat, sëmundje e cila është arritur dhe me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të jetë në pamundësi për t’u shërbyer fëmijëve. Këto 5 kushte gjykata pas 5 muaj e sa, i ka shqyrtuar dhe i ka analizuar”, tha avokati.
Gjykata e Elbasanit vendosi këtë të premte të japë dënim alternativ për ish-Ministrin Saimir Tahiri. Ai do të lerë ambientet e burgut për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.