Ish-ministri Shatri i quan ‘sevap’ ndihmat e Qeverisë me nga 50 e 100 euro
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri i ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se e kanë ndalur trendin e qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Shatri ka thënë se ngecja e zhvillimit ekonomik nuk vjen nga faktorët e jashtëm që lidhen me krizat botërore të sigurisë dhe ekonomisë, por lidhet me mos-veprimin e qeverisë.
“Zhvillimi ekonomik në Kosovë e ka njëfarë trendi të qëndrueshëm. Tash kemi trend në rënie, kjo nuk është për shkaqe të jashtme, por është thjesht rezultat i mos-veprimit të qeverisë. P.sh nga 706 milionë euro shpenzime të planifikuara dhe janë rezultuar vetëm 25%”, ka thënë Shatri në T7.
Shatri ka thënë se kosovarët nuk jetojnë më mirë se para dy viteve.
“Në këtë pyetje më mirë do të ishte përgjigjur një qytetar. Nuk jetojmë më mirë se para dy viteve. Shporta është shtrenjtuar, pagat ende nuk janë rritë, pritet të rriten nëse nuk ndodh ndonjë gjë. Shërbyesit civilë janë të dëmtuar. Paga nuk u mjafton për mbylljen e obligimeve mujore”
Ndërkaq, ka thënë se mbështetja minimale e grupeve të caktuara shoqërore me nga 50 e 100 euro, nuk paraqet masë adekuate përballë krizave.
Ai, këtë qasje e ka quajtur “sevap”.
“Qeveria është orientuar nga masat minimale, mbështetje me nga 100 euro, e 50 euro, faktikisht ato janë sevap. Kanë efekt minimal. Kemi ngecje edhe në dinamikën e investimeve të huaja. Struktura e atyre investimeve nuk është me efekt të mjaftueshëm për zhvillim, siç janë investimet në patundshmëri”, ka thënë ai.