Ish-ministri Shatri: UNMIK-u kishte influencë të madhe, s’na ka pyetur askush për KEK-un
Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, të hënën ka dëshmuar ish-ministri i Financave, Haki Shatri.
Shatri është përgjigjur për mandatin e tij si ministër gjatë periudhës 2005-2007.
Para deputetëve, Shatri ka theksuar se gjithë procesin e menaxhimit të ndërmarrjeve publike ka kryer UNMIK-u, përkatësisht shtylla e IV e këtij misioni dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM).
Shatri ka thënë se qeveria në atë kohë ka pasur kompetenca të kufizuara.
“UNMIK-u ka pasur influencë të madhe, në atë kohë qeveria nuk është njoftuar as për shitjet as për blerjet. S’na ka pyet kush. S’kemi qenë kompetentë. Për veprimet s’jemi njoftuar asnjëherë. MF nuk ka qenë faktor dhe nuk ka ndarë mjete për investime dhe as nuk kemi qenë mbikëqyrës me KEK-un”, ka thënë ai.
Shatri ka thënë se sa i kujtohet, qeveria e atëhershme ka dhënë një hua për KEK-un, disa milionë euro.
Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka ngritur i çështjen e importit të e energjisë elektrike.
Sipas tij, Kosova ka importuar rrymë prej kompanisë GEN në Slloveni dhe jo nga GEN-i në Beograd.
Për këtë ka reaguar kryetari i komisionit, Hajdar Beqa, i cili ka thënë se për këtë çështje do ta njoftojë komisionin ambasadori Martin Berishaj.
“Të mos ndalemi te kjo temë, për blerjet nga GEN-i, do ta na njoftojë ambasadori Martin Berishaj”, ka thënë ai. /Ksp