Ish-ministri u dënua me 38 vite burg në SHBA – Kush ishte “arkitekti” i luftës kundër drogës i cili mori miliona dollarë nga El Chapo
Ish-ministri i Sigurisë në Meksikë, Genaro Garcia Luna, u dënua me 38 vite burg në SHBA për trafik të lëndëve narkotike, duke u bërë zyrtari më i lartë meksikan që dënohej për një vepër penale të tillë.
I konsideruar si “arkitekti” i luftës kundër drogës në Meksikë, Luna ishte një ndër aleatët kryesorë të presidentit Felipe Calderón, njeriu që ndërmori nismën për të shkatërruar kartelet e drogës pas presionit të SHBA.
54-vjeçari Garcia Luna është një prej zyrtarëve më të lartë meksikanë të akuzuar dhe të dënuar për trafik droge. Ai i ngjiti shpejt shkallët e karrierës dhe u bë një nga njerëzit më të fuqishëm në Meksikë.
Përveç postit të ministrit nga viti 2006 deri në 2012-n, ai mbajti edhe postin e kreut të Agjencisë Federale të Hetimeve në Meksikë në periudhën 2001-2005.
Akuzat ndaj Luna-s në Meksikë datojnë prej disa vitesh. Përfshirja e tij në trafikun e drogës dhe “loja e dyfishtë” me kartelet meksikane ka qenë edhe pjesë e skenarit të serialit të Netflix, “El Chapo”.
Aty tregohet historia e një prej bosëve më famëkeq të drogës në botë, Joaquin Guzman. Ndërsa Luna nuk përmendet me emër, por personazhi që është përshtatur pas figurës së tij quhet Conrado Sol (Dielli), ndërkohë që mbiemri i Luna në spanjisht do të thotë “hëna”.
Përgjatë serialit hit, funksionari i lartë shtetëror takohet disa herë me eksponentë të karteleve të drogës dhe merr shuma të mëdha parash prej tyre, diçka që në kohën kur u realizua filmi ishte vetëm një akuzë kundër Luna-s, e cila rezultoi e vërtetë sipas vendimit të gjykatës amerikane.
Vendimi i gjykatës dikton që Luna ka marrë miliona dollarë si ryshfet nga trafikantët e drogës për t’iu dhënë atyre informacione kyçe për shmangien e operacioneve policore, duke qenë se mbante poste të ndryshme shtetërore, më i larti ai i ministër i Sigurisë Publike. Për më tepër, gjatë punës së tij, ai pati marrëdhënie të ngushta me zyrtarët e DEA-s amerikane.
Pas la detyrën shtetërore në Meksikë, Luna u transferua në SHBA, ku edhe u arrestua në vitin 2019. Ai i mohon akuzat dhe avokatët e tij thanë se prokurorët amerikanë i kanë bazuar ato mbi dëshmitë e kriminelëve të rrezikshëm, çka i bën të pabesueshme.
Një ndër dëshmitë kryesore është ajo e vëllait të Ismael Zambada Garcia, partnerit të El Chapos, i cili deklaroi në gjyq se në dy raste i kishte dhënë nga një valixhe me 3 milionë dollarë Luna-s. Zambada u arrestua në korrik të këtij viti, ndërsa El CHapo u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019 dhe po i mbyll ditët në burgun e sigurisë së lartë “Supermax” në Kolorado.