Ish-ndërmjetësi i dialogut: Me kundërshtimin e marrëveshjes bazë, Serbisë i mbyllen dyert në BE
Duke kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj për t’u bërë pjesë e kapitullit 35 të negociatave, Serbia është duke e mbyllur derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), ka thënë Robert Cooper, ish-ndërmjetës në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë qëndrim, diplomati britanik në pension ka reaguar ndaj pretendimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se përfshirja në kornizën e negociatave të dokumenteve të dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e parë të vitit 2023, do të thotë se unioni po ia mbyll derën Serbisë.
Meqë ra fjala, kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore, pra rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e unionit të kenë një lloj marrëdhënieje, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre”, ka thënë Cooper, i cili ka ndërmjetësuar dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.
Bisedimet në mes të dy palëve kanë filluar pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, në vitin 2010 ka vendosur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
BE-ja nuk dëshiron ndarje
“Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet më vete, nuk është në thelb të Unionit. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam është që ato ndarje të zhduken”, ka thënë Cooper për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.
Në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme, Këshilli Evropian duhet të shpallë konkluzionet për zgjerimin, një dokument që mbulon Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Në draftin në të cilin kishte qasje mediumi rekomandohej që marrëveshja e Ohrit dhe aneksi i saj, i cili përcaktonte hapat në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihej në pritjet dhe detyrimet e të dyja palëve.
“Është e qartë se këtu dominon ndjenja e urgjencës. Askush nuk e mban mend kur të dyja palët arritën një përparim të rëndësishëm në bisedime”, ka thënë Cooper – duke kujtuar se zgjedhjet e ardhshme për përbërjen e Parlamentit Evropian do të mbahen në qershor 2024.
Fillimi i vitit dhe arritja e marrëveshjes së Ohrit ka futur një dozë optimizmi se mund të ketë rezultate në dialogun më shumë se një dekadë mes Kosovës dhe Serbisë, me rezultate jashtëzakonisht të ndryshueshme.
Megjithatë, në vend të kësaj janë mbajtur disa takime të pasuksesshme dhe u shkëmbye retorikë e ashpër. Një hije e errët mbi të gjitha përpjekjet u hodh nga një sulm i armatosur i serbëve ndaj policëve të Kosovës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, ka pasur gjithsej katër viktima, tre në anën e sulmuesve dhe një pjesëtar i policisë së Kosovës.
Normalizimi është pjesë e procesit të aksesit
“Bashkimi Evropian gjithmonë ka treguar se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin është pjesë e rrugës së anëtarësimit të dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës. Është më pak e rëndësishme në rastin e Kosovës, sepse aktualisht nuk ka perspektiva për anëtarësim, pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj”, ka shpjeguar Toby Vogel nga Këshilli joqeveritar i Brukselit për Politikat e Demokratizimit.
Vogel ka nënvizuar se momenti aktual është shumë më i rëndësishëm për Serbinë, e cila ka përshkuar një distancë të caktuar në procesin e anëtarësimit.
“Që nga arritja e marrëveshjes së Ohrit, qëndrimi i Bashkimit Evropian, edhe pse presidenti Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë, është se ajo është një marrëveshje ligjërisht obligative. Është një dokument për të cilin janë angazhuar verbalisht të dyja palët. Ky është momenti kur kjo do të verifikohet”, ka thënë Vogel.
Ai ka nënvizuar se mospajtimi i presidentit të Serbisë është i kuptueshëm – duke qenë se ai refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj.
“Megjithatë, pëlqimi i tij nuk kërkohet, Bashkimi Evropian mund ta përfshijë atë në Kapitullin 35 në mënyrë të pavarur. Më duket se Bashkimi Evropian, në një farë mënyre, po përpiqet ta bindë atë të pranojë marrëveshjen e Ohrit si diçka të prekshme, sepse kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Asnjëra palë nuk veproi në lidhje me të ishte, deri më tani, një letër e vdekur”, ka thënë Vogel.