Ish-Papa fajëson revolucionin e vitit 1960 për abuzimet seksuale
Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, ka publikuar një letër në të cilën fajëson për abuzimet seksuale të klerikëve, “lirinë e përgjithshme seksuale” të vitit 1960.
Ai në letër ka shkruar se “revolucioni seksual” i vitit 1960 kishte shkaktuar homoseksualitetin në udhëheqjen katolike.
Ish-Papa ka thënë se pedofilia nuk ka qenë “akute” deri në fund të viteve ’80-ta dhe është shkaktuar nga “mungesa e Zotit” te njerëzit.
Letra me 5 500 fjalë është botuar në revistën katolike gjermane “Klerusblatt”, transmeton “BBC”.
Në pjesën e parë, ish-Papa e ka quajtur periudhën e vitit 1960 si një kohë kur “standardet e mëparshme në lidhje me seksualitetin u shembën tërësisht”.
Më pas, letra ka shqyrtuar se si revolucioni seksual preku priftërinjtë, duke krijuar “klika homoseksuale” në seminare.
Letra ka përfunduar me zgjidhjen që “ne edhe një herë fillojmë të jetojmë nga Perëndia”.
Në vitin 2013, ish-Papa Benedikti ka dhënë dorëheqje, e cila kishte shënuar rastin e parë në Kishën Katolike, pas pothuajse 600 vjetësh.
Ai ka falënderuar pasardhësin e tij, Papa Françeskun, “për çdo gjë që ai bën për të na treguar përsëri dhe përsëri, dritën e Perëndisë, e cila nuk është zhdukur, madje as sot”.
Papa Françesku ka thënë në një letër të botuar në vitin 2018 se Kisha “nuk veproi në kohën e duhur” për çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve dhe “nuk tregoi kujdes për të vegjlit, duke i braktisur ata”.