Ish-partneri i princeshës gjendet i pajetë në dhomën e hotelit
Paolo Liuzzo, ish-partneri i princeshës Beatrice të Mbretërisë së Bashkuar, u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Miami shkurtin e kaluar.
Sipas “The Sun” , që raportoi ditën e djeshme për herë të parë lajmin, autoritetet vendase besojnë se vdekja e 41-vjeçarit ka ardhur si pasojë e mbidozës nga droga, megjithatë hetimet për ngjarjen janë ende në vazhdim.
Siç raporton gazeta britanike, ish-partneri i prinveshës, Liuzzo vitet e fundit kishte probleme varësie ndaj drogës dhe lojërave të fatit, ndërsa thuhet se kishte hyrë në borxhe.
Oficeri i policisë amerikane Michael Vega, i cili foli për Sun, nuk pranoi të zbulonte detaje të rrethanave të vdekjes së 41-vjecarit që dha frymën e fundit në një dhomë në hotelin Miami Worldcenter në orën 03:34 të pasdites më 7 shkurt.
Në certifikatën e vdekjes së Liuzzo thuhet se 41-vjecari punonte si konsulent arti dhe se nuk ishte martuar kurrë. Ai kishte deklaruar si vendbanim një apartament pranë hotelit. Trupi i Liuzzo u dërgua në vendlindjen e tij në Long Island, Nju Jork, dhe funerali i tij u mbajt më 16 shkurt.
Duke folur në mënyrë anonime për gazetën, një mik i 41-vjeçarit tregoi se shumë njerëz në rrethin e tij kishin frikë se ai do ta kishte këtë fat fatal. “Ai nuk ishte mirë. Atij i pëlqente të mburrej dhe të luante bixhoz. Ai iu drejtua kokainës dhe drogave të tjera të forta. Të gjithë kishim frikë se një ditë Liuzzo do të paguante shtrenjtë për stilin e jetesës që kishte zgjedhur. Ai vazhdimisht merrte para hua për të shlyer borxhet. Ishte një rreth vicioz”.