Ish-presidentët përfundojnë vizitën në Hagë, Pacolli: Drejtuesit e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se kanë përfunduar vizitën në Hagë, ku së bashku me ish-presidentët dhe ish-kryeministrin shqiptar, kanë takuar liderët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Pacolli ka thënë se qëllimi i kësaj vizite ka qenë solidarizimi me drejtuesit e UÇK-së, të cilët sipas tij janë duke i mbajtur padrejtësisht në paraburgim.
“Sot së bashku me tre ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiun, Rexhep Meidanin, Bamir Topin dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, vizituam në Hagë ish-drejtuesit e UÇK-së. Qëllimi i kësaj vizite ishte solidarizimi me udhëheqësit e UÇK-së që tani po mbahen pafajësisht në paraburgim dhe mbështetjes se tyre në përballjen me padrejtësinë që po u bëhet”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.